Vora e Veleçiku vazhdojnë “gjuetinë”, Elbasani fiton finalen me Albpetrolin

Janë luajtur sot ndeshjet e javës së 14-të në Kategorinë e Dytë, ku natyrisht vëmendja është te gara për kreun, me fituesin e çdo grupi që shkon në Kategorinë e Parë, ndërsa vendet e dyta shkojnë në play-off.

Në grupin A, Vora ka fituar në transfertë 3-1 me Tiranën B, duke vijuar të kryesojë, me 37 pikë në 14 ndeshje. Mziu dy gola dhe Balliu një tjetër i dhuruan fitoren Vorës, që gjithsesi nuk feston dot, sepse Veleçiku është ende 3 pikë larg. Skuadra koplikase fitoi sot 1-0 në Gramsh, me golin e Sunajt 14 minuta para përfundimit.

Në vendin e tretë Klosi, që sot mundi 3-1 Sopotin, por 6 pikë nga kreu duken shumë, për të ëndërruar dhe synimi i vetëm është vendi i dytë.

Në grupin B vëmendja ishte e tëra në Elbasan, sepse luhej finalja Elbasani-Albpetrol. Triumfuan kryesuesit 3-1, me Shamet Lutën “superstar”. Tre gola për sulmuesin, nga minuta 31 deri në 50.

Vendin e dytë e merr Oriku, që mundi 1-0 Skraparin me gol të Metajt në minutën e 71-të. Dy pikë larg Elbasanit dhe 3 pikë mbi Albpetrolin, Orikumi ëndërron, sepse më 1 prill pret Elbasanin dhe më 13 maj Albpetrolin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *