“Kastrioti kryeson me meritë, por ne pak na intereson kjo gjë. Të dielën tregojmë se kush jemi”
Fatmir Efica
Qendërmbrojtësi peqinas i Egnatias, Jurgen Vogli është një nga futbollistët më të spikatur te prapavija e skuadrës rrogozhinase. Edhe sezonin e kaluar, kur Egnatia u shpall kampione e Kategorisë së Dytë, edhe gjatë 10 javëve të këtij sezoni, kur me meritë rrogozhinasit janë ngjitur në vendin e dytë, paraqitjet e ekipit po lënë gjurmët e duhura. Janë një sërë arsyesh, shpjegoi dje Vogli. Por, në ndeshje të tilla si kjo e kësaj fundjave me Kastriotin në Rrogozhinë, motivimi ynë merr vlera absolute. Ne as që diskutohet se do të japim më të mirën tonë. E dimë që Kastrioti kryeson me meritë. Por edhe kundërshtarët tanë duhet të dinë se ne kemi ardhur deri në këtë pikë falë meritës tonë. Nuk na ka falur e nuk duam të na falë kush asgjë”,-tha Vogli fillimisht.
MBROJTJA – “Reparti që skuadra rrogozhinase ka treguar më shumë stabilitet është mbrojtja. Në fakt këtë konstatim nuk dua ta zgjas shumë unë, – nënvizon Vogli, pasi do të duket ndoshta edhe si mungesë modestie. Por janë faktet që flasin. Ne kemi humbur vetëm dy ndeshje, të dyja me të njëjtin përfundim 1-2 ndaj Kastriotit në javën e dytë në Krujë dhe ndaj Besëlidhjes në javën e 5-të në fushën tonë. Dy dështimet me këto dy ekipe i quaj edhe si “përfitim” të krutanëve apo lezhjanëve nga gabimet tona, apo dhe nga një lloj euforie momentale që ishte shfaqur pas fitoreve që patëm arritur para sfidave direkt me këto dy skuadra. Mbrojtja e Egnatias tha Vogli, përbëhet nga futbollistë me shumë eksperiencë. Do të na mungojë ndaj krutanëve Rexhepi, për shkak të plotësimit të katër kartonëve, por me aktivizimin e Viktor Gjylës me shumë përvojë ne do të përpiqemi ta dublojmë më së miri mungesën e tij duke punuar fort gjatë kësaj jave të kemi sa më tepër besim e siguri në vijën e prapme ku një garanci është edhe forma e mirë e portierit Oltian Haremi që në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë “B” priti edhe një 11-metërsh”, – ka theksuar Vogli, një nga kualitetet e skuadrës rrogozhinase këtë sezon.