Në ditën e sotme do të kemi përballjen e finales së Kupës së Shqipërisë. Laci dhe Vllaznia do të përballen në Air Albania. Por për shkodranët, kjo ndeshje shkon më shumë sesa një trofe i fituar, pasi është e vetmja rrugë sesi mund të shkohet në Europë. Në një intervistë për “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari, ishte edhe figura e njohur e futbollit shqiptar, Elvin Beqiri, që komentoi këtë përballje.
“Vllaznia do të jetë e përgatitur më shumë se 100% dhe do të jap gjithçka për të fituar Kupën dhe për të shkuar në Europë. Pavarësisht objektivit për të fituar titullin kampion, tani është mundësia për Kupën dhe për të mos dërguar sezonin bosh. Në fillim ekipi dukej i kompletuar dhe me lojtarë që ishin si blerje të goditura. Por më pas u pa se harmonia nuk ishte e duhura dhe mungonte finalizimi.
Vllaznisë së këtij sezoni i ka munguar shpirti, ndryshe nga vjet që ishte cinike dhe e uritur për të fituar çdo ndeshje. Sot duhet ta ketë me patjetër këtë uri. Laçi është mësuar të luajë në nivele të larta, madje ka marrë rezultate dhe nuk do të ndikojë fanella e rëndë që ka Vllaznia. Por uroj që lojtarët ta ndiejnë sa më tepër fanellën. Presidenca e Vllaznisë ka vendosur një premio shumë të mirë sot”, tha Beqiri. /Sport Ekspres/