Vllaznia “thatë” ndaj Kastriotit, Cungu: Menduam për Teutën

Krutanët janë ekip pretendent për t’u ngjitur në Superiore dhe nuk hapin rrugë. Në fund ata dhe shkodranët duhet të kënaqen me një barazim pa gola

Bujar Balliu

 

Kastrioti dhe Vllaznia barazuan 0-0 në ndeshjen e parë të vlefshme për turin e parë eliminator të Kupës së Shqipërisë, takim i zhvilluar ditën e djeshme në stadiumin “Kastrioti” në Krujë. Rezultati i bardhë i këtij takimi lë të hapur kualifikimin për më tej, teksa gjithçka do të zgjidhet pas dy javësh në Shkodër. Dy nga lojtarët e afruar me bujë te Kastrioti, Enco Malindi dhe Emiljano Çela, nuk u aktivizuan për të qenë të gatshëm në premierën e kampionatit të së Parës, që krutanët e nisin në fundjavë në Burrel. Edhe te Vllaznia, lojtarë si Lika, Hasani dhe Kruja u lanë pushim për ndeshjen e së dielës me Teutën.

NDESHJA

Loja nisi e vakët, me të dyja skuadrat që vetëm qarkullonin topin, por ishin krutanët ata që u munduan të rrezikojnë me nigerianin Kabiru, por gjuajtja e sulmuesi e shqetësoi portierin Selimaj. Çinari dhe Atsina të Vllaznisë kombinuan bukur me njëri-tjetrin, por e kishin të vështirë t’i afroheshin portës krutane, pasi mbrojtja vendase kreu me përpikmëri detyrat. Rreziku kryesor për portën mike ishte Marku dhe Kabiru, që herë pas here tentuan portën. Rasti ideal për të kaluar në avantazh ishte në minutën e 21-të, por portieri Selimaj largoi rrezikun duke grushtuar topin. Sulmi i Vllaznisë nuk po funksiononte si duhej dhe trajneri Cungu e “freskon” atë me afrimin më të fundit në radhët e kuqebluve, sulmuesin Andi Ribaj, i cili zuri vendin e Bardullës. Pavarësisht lëvizjes, si te Vllaznia, por edhe te Kastrioti, rastet në portë ishin me pikatore. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Me nisjen e pjesës së dytë ishte sërish Vllaznia që kreu një zëvendësim, me Gurishtën që i la vendin Mehmedajt. Në të 50-ën, Denis Dyca, i huazuar te Kastrioti nga Vllaznia, tentoi portën, por pa rezultat. Kundërpërgjigja e shkodranëve erdhi nga Ribaj, i cili në dy raste tentoi portën e portierit Kuka, i cili u bë “shpëtimtar” për krutanët. Në të 65-ën tekniku Cungu aktivizoi Isufin, lojtarin e Kombëtares U-19, që i dha freski lojës së shkodranëve, të cilët zgjohen dhe shtojnë sulmet drejt portës së vendasve. Kalaja dhe Çinari kishin dy mundësi të mira, por Kuka shpëtoi mrekullisht katërkëndorin e tij, duke e lënë të pa prekur atë, çka bëri që deri në fund rrjetat të mbeteshin të paprekura.

13 shtator 2017, ora 16:00, stadiumi “Kastrioti”

KASTRIOTI – VLLAZNIA    00

KASTRIOTI: Kuka, Borshi, Lila, Hoxha, Boçi, Mziu, Caca, Çutra, Dyca, Kabiru (Xhaferri 54’), Marku (Neziri 73’). Trajner: Samuel Nikaj

VLLAZNIA: Selimaj, Gocaj, Orelesi, Gurishta (Mehmedaj 46′), Marku, Krymi, Vucaj (Isufi 65’), Bardulla (Ribaj 30’), Çinari, Kalaja, Atsina. Trajner: Armando Cungu

Kartonë të verdhë: Neziri 73′ / Vucaj 49′, Ribaj 67′

Gjyqtarë: A. Stolaj, G. Qirici, R. Dobruna, E. Spahiu (Tiranë)

Vëzhgues: Ilir Lame

Delegat: Petrit Haxhia

Cungu: Menaxhuam grupin, menduam edhe për Teutën

Barazimi pa gola në Krujë e kënaq Armando Cungun, pas që ndeshjes me Kastriotin e arsyetoi diçka të tillë për mediat. “Është ndeshja e parë, luajtëm jashtë fushës tonë dhe kishim si synim të shënonim të paktën një gol. Nuk erdhëm me kontingjentin e plotë, pasi në fundjavë kemi një ndeshje të vështirë dhe u munduam të menaxhojmë situatën dhe lojtarët që kanë pasur probleme shëndetësore. Në këto kushte jam i kënaqur me rezultatin e ndeshjes së parë”, tha fillimisht kreu i pankinës shkodrane, që u zhvendos më pas te sfida e kampionatit me Teutën në “Loro Boriçi” të dielën. “Ishte shumë e rëndësishme që në ndeshjen e parë, aq më tepër jashtë fushe, të merrnim një rezultat pozitiv. Është vetëm fillimi, ka rëndësi që ekipi të tregojë stabilitet me lojëra dhe rezultate. Këtë gjë duhet t’ia lëmë fushës së lojës, sa i takon ndeshjes së të dielës ndaj Teutës, që është një ekip për t’u respektuar. Gjithsesi Vllaznia i ka potencialet për të dalë e fituar dhe ky është objektivi i vetëm”, theksoi Cungu. E pashmangshme pyetja për objektivin Europë, ndërkohë që si gjithmonë trajnerin shkodran përsërit se ndeshja e radhës është objektivi i tyre. “Prej kohësh pyetem për Europën. Të gjithë e dimë si shkohet në Europë, të gjithë e dimë se çfarë kontingjenti duhet, por Vllaznia do tentojë të bëjë më të mirën. E rëndësishme për mua është të bëhet më e mira ndeshje pas ndeshje”.

 

Nikaj: Sot treguam sa kemi punuar

Samuel Nikaj, trajneri i Kastriotit, pas ndeshjes që skuadra e tij barazoi me Vllazninë në shtëpi, u shpreh i kënaqur me atë që dha ekipi i tij, teksa vuri në dukje edhe faktin që mes tyre dhe shkodranëve për një muaj diferencat ishin ngushtuar shumë. “Realisht e kishim vlerësuar ndeshjen, pasi realisht Vllaznia ka një ekip të mirë sivjet, është një Vllazni cilësore dhe e kishim vlerësuar maksimalisht. Donim një rezultat pozitiv dhe e morëm, pasi barazimi është i tillë. Kjo tregon për punën që është bërë gjatë një muaji, duke kujtuar që me 15 gusht na ka mundur 4-0 në Shkodër dhe nuk kemi mundur të gjuajmë asnjëherë në portë. Sot treguam një ekip të përmirësuar dhe që do të bëjë një kampionat cilësor. Ishte një ndeshje që vlente për psikologjinë e lojtarëve, që ta kuptojnë edhe ata që janë ekip elitar, janë ekip për të luajtur në Superiore, jo vetëm prej emrave që kanë, por edhe prej lojës që bëjnë”, tha fillimisht për mediat trajneri shkodran, që më tej foli edhe në lidhje me nisjen e kampionatit të Kategorisë së Parë. “Ishte një ndeshje e kënaqshme. Ndoshta në 10 minutat e fundit pati një lëshim, por pjesën tjetër jam i kënaqur. Lojtarët i zbatuan detyrat që u kisha caktuar. Sa i takon ecurisë, nuk mendoj që ka fushë jashtë apo brenda. Ne jemi Kastrioti, kemi lojtarë me shumë nivel brenda dhe do të hyjmë në fushë për të fituar çdo ndeshje. Rivali i Kastriotit? Unë kam një parim: i respektoj të gjithë kundërshtarët, por nuk kam frikë asnjë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *