Për ndeshjen me Partizanin, tekniku Gjoka nuk do të ketë shërbimet e nigerianit Nuredin Orelesi. Kartoni i verdhë i marrë në sfidën e së shtunës në Kamzë, ishte i katërti për të, që do të thotë se është i skualifikuar ndaj Partizanit. Vlerësimi për atë që nigeriani jep në fushë është pozitiv, por jo gjithçka shkon si duhet me Orelesin në lidhje me faullet e shumta që shkakton gjatë ndeshjeve, ku në disa raste janë edhe tej normales. Një gjykim i tillë vjen edhe nga specialistët e futbollit shkodran, të cilët tërheqin vëmendjen që lojtari të jetë më i kujdesshëm në këtë drejtim, pasi kështu dëmton edhe ekipin. Mund ta dëmtonte më shumë, nëse gjyqtari do t’i nxirrte të verdhën e dytë për një apo dy ndërhyrje të dyshimta. Edhe pse mungesa e tij konsiderohet e rëndësishme, tekniku Gjoka duket se e ka gati zëvendësuesin.
Ai është Alsid Tafili, i cili luan pikërisht në atë pozicion dhe forma sportive e tij është optimale. U pa qartë edhe në ndeshjen me Teutën, ku Tafili ishte titullar. Në këtë ndeshje Orelesi u tërhoq në prapavijë, duke zëvendësuar Malotën, dhe në vend të tij luajti Tafili. Ky duket se është verditki i teknikut kuqeblu për këtë ndeshje, por duhet pritur seanca e së martës për të parë realisht çfarë do të vendosë ai në këtë pikë.
Rikthehet grumbullimi dyditor
Vetë rëndësia e ndeshjes, por edhe në një farë mënyrë edhe pesha e ngarkesës që futbollistët do të kenë me dy ndeshje brenda javës, ka bërë që Vllaznia t’i rikthehet grumbullimit dyditor. Një gjë e tillë nuk është hera e parë që aplikohet kampin kuqeblu dhe që për hir të së vërtetës ka dhënë ndikim pozitiv në formën sportive të futbollistëve. Informacioni për grumbullimin dyditor vjen nga burime brenda klubit kuqeblu dhe që pritet t’i bëhet i ditur skuadrës sot. Gjithnjë nëse një gjë e tillë bëhet realitet, grumbullimi për kuqeblutë pritet të fillojë pas seancës stërvitore të pasdites, në mjediset e kompleksit “Gardenland Resort”.