Një muaj nga përfundimi i sezonit, te Vllaznia ka heshtje totale. Disa lojtarë janë larguar, të tjerë mund të ikin për shkak se nuk janë paguar prej 3-4 muajsh, ndërsa bashkia ka vlerësuar klubin dhe i ka vendosur një çmim, por nuk dihet si do të procedohet më tej. Privatizimi mbetet pezull dhe gjërat po ecin shumë ngadalë, ndërkohë që pak nga pak duhet menduar edhe për sezonin e ardhshëm. Sot në Bashki do të zhvillohet mbledhja e këshillit bashkiak, ku do të diskutohet për miratimin e pasqyrave financiare të klubit, por nuk ekziston ende asnjë plan për të vendosur piketat për sezonin e ri, apo për privatizimin.
Mungon trajneri, që është kryesorja për sa i përket futbollit të luajtur, sepse Ervis Kraja nuk e di ende nëse do konfirmohet, pas punës me ekipin e parë në javët e fundit të sezonit të shkuar.
Trajneri shkodran, i cili është në pritje si gjithë pjesëtarët e ekipit kuqeblu, në një intervistë për “Sport Ekspres” flet për situatën aktuale në klub dhe bën thirrje për nxitim, në mënyrë që të mos lihet gjithçka për në fund të verës dhe skuadra të ndërtohet me arnime. Kraja është i bindur se rruga e duhur do të gjendet dhe është i gatshëm të nisë punën menjëherë, nëse i jepet besim.
Momenti te Vllaznia: “Presim, jemi me sytë nga mbledhja e këshillimit bashkiak dhe të shohim çfarë do të bëhet. Shpresojmë në lajme të mira, sepse ekipi duhet të nisë nga puna, të marrë formë e të dalë në stërvitje”.
E ardhmja e zymtë: “Mendoj se gjërat do të përmirësohen dhe çdo gjë do t’i kthehet normalitetit. Nuk duhet jetuar me trishtimin e rënies nga kategoria, sepse duhet parë përpara, për të rindërtuar gjithçka. Me strukturën e re, me njerëzit qe do afrohen, me njerëzit që do emërohen, mendoj që klubi do marrë pamje tjetër”.
Kraja dhe pozicioni te Vllaznia: “Për sa i përket të ardhmes, unë jam pjesë e klubit dhe do vazhdoj të punoj për Vllazninë”
Trajner te Vllaznia? Kraja tregon planin e tij: “A do vazhdoj apo jo si trajner, kjo është në dorë të strukturave të klubit. Di të them se plani im për Vllazninë është shumë serioz, me njerëz seriozë e me një projekt edhe për te ardhmen,jo vetëm për Kategorinë e Parë”.
Privatizimi pezull: “Procesi i privatizimit mendoj se duhet të ecë me ritme sa më të shpejta. Historia e viteve të fundit na ka treguar se në situatën ku është klubi, nuk ka të ardhme të sigurt dhe sukseset e mëdha do të mungojnë”.
Po Vllaznia B? “Ekipi B jo vetëm që nuk do të shkrihet, por do vazhdojë me pretendimet për t’iu bashkuar dhe një here Kategorisë së Parë, ashtu si do ngjitet Vllaznia jonë në Superiore”.