Duke mos i lënë prapa problemet e tjera, për momentin çështja e ditës për Vllazninë është merkato dimërore. Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kuqeblu po bëjnë të gjithë përpjekjet që të sjellin në skuadër futbollistë cilësorë, të cilët do të mund të jepnin kontributin e tyre në ndryshimin e situatës jo të mirë që ka përfshirë për momentin ekipin, i cili në mbyllje të vitit 2017 renditet në vendin e parafundit të tabelës së klasifikimit.
Një ndër emrat më të lakuar të ditëve të fundit, ishte Xhevahir Sukaj. Dëshira e tij nuk mungon për të kontribuar për Vllazninë, por lëvizja e tij nga Partizani tek Vllaznia nuk është e lehtë të realizohet. Sukaj ka një kontratë me Partizanin, dhe drejtuesit e të kuqve kanë deklaruar në media se futbollisti ka marrë leje deri në fund të vitit dhe e presin të rikthehet në gjirin e skuadrës. Por, përpos kësaj, dita e martë ka nxjerrë në skenë edhe një variant tjetër, atë të këmbimit të Sukajt me Çinarin, variant ky i servirur nga klubi I Partizanit që mesa duket se nuk i ka pëlqyer fare klubit kuqeblu. Kjo, sepse sipas tyre, Çinari është një futbollist shumë i rëndësishëm për Vllazninë dhe në këtë mënyrë kurrsesi nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë. Sipas tyre, Vllaznia kërkon përforcimin e skuadrës dhe jo të bëjë lëvizje të tilla që nuk janë në interes të klubit. Sa i përket Sukajt, drejtuesit e Vllaznisë vazhdojnë të jenë në të njëjtat pozita si më parë duke e preferuar veshjen e tij kuqeblu, por pasi Sukaj të ketë zgjidhur problemet individuale të marrjes së kartonit nga Partizani. Gjithsesi, ajo që pritet t japë dritë këtij problem është mbërritja e vetë Sukajt në Shkodër, ku siç ai e ka paralajmëruar do të jetë në ditët e para të vitit të ri 2018.