Armando Cungu ka folur për ecurinë mbreslënëse të Vllaznisë deri në këtë fazë të kampionatit. Shkodranët janë duke kryesuar kampionatin shqiptar pavarësisht humbjes së fundi ndaj Laçit dhe mungesës së fitoreve në tre ndeshjet e fundit.
Ecuria fantastike nga fillimi i kampionatit deri në këtë pjesë të tij, i bënë shkodranët që të jenë ende të qetë në kryesimin e Superiores. I ftuar në emisionin “Pressing” që transmetohet në “ABC Neës”, Cungu është shprehur se një blerje e mirë për Vllazninë ishte afrimi i sponsorit Alban Xhaferi.
“Normal ndihem mirë për Vllazninë, si çdo shkodran, jo vetëm për rezultatet. Ndoshta është momenti dhe viti i Vllaznisë, për ta sjellë titullin në Shkodër. Duhet shfrytëzuar ky moment. Tifoz me Vllazninë isha edhe në ndeshjen e fundit. Gjithmonë kam pasur bindjen se Laçi e kërcënon Vllazninë, tani përfshij edhe Partizanin pas afrimeve. Kanë marrë lojtarë të mirë, flasim për emra në letër.
Laçin e njoh mirë, i kam stërvitur për një vit. Isha i bindur që do të ishin kockë e fortë në këtë kampionat. U duhej kohë për t’u harmonizuar. Kampionati është vështirësuar edhe për Vllazninë. Tani bëhet më i bukur, do ketë konkurrencë deri në fund. Do e sulmojnë Laçi e Partizani me agresivitet.
Vllaznia ka treguar entuziazëm, nuk ka shumë lider. Kjo falë harmonizimit dhe situatës që i takon. Kjo është meritë e trajnerit. E kam thënë që në fillim që e ka shfrytëzuar momentin maksimal. Nëse ekipet e tjera kishin probleme, duke luajtur verës në temperatura të larta.
U lodhën dhe më pas bojkoti i dëmtoi. Vllaznia pati kohën të stërvitej, të linte pas të infektuarit me COVID-19. Të tjerët i kapi në fillim, siç ndodhi edhe te Laçi. Veç punës së mirë të stafit teknik dhe trajnerit Brdaric, një blerje e mirë është sponsori Xhaferi. Ka një zot shtëpie dhe nuk ndodhin shumë fenomene.
Është më e lehtë për një të huaj. Kemi diçka që i shohim me brirë ata. Kur vijnë ua plotësojmë të gjitha kushtet. Nuk bëhet fjalë vetëm për mua, por edhe për trajnerë të tjerë. Shpesh nuk merren parasysh kushtet, që janë për të mirën e Vllazninë. Nuk kanë qenë kërkesa utopike. Të huajt edhe i bëjnë ato kërkesa dhe mundohen t’ua plotësojnë. Është një shenjë inferioriteti, që nuk është gjë e mirë”, u shpreh Cungu. /Sport Ekspres/