Edon Hasani më në fund ka gjetur marrëveshjen me Vllazninë për të ndërprerë kontratën dhe për të vazhduar karrierën me Sepahanin në Iran, ku do të përfitojë shifra shumë të mëdha krahasuar me Vllazninë.
Në fakt, klubi shkodran bëri rezistencë fillimisht dhe kërcënoi me bllokim të kalimit, duke mos qenë e informuar, po tashmë është gjetur zgjidhja, me mesfushorin që ka shtuar rreth 15 milionë lek në arkën e klubit shkodran, mes pagave të pamarra dhe një dëmshpërblimi shtesë.
Edhe Vllaznia e ka zyrtarizuar dhënien e lejekalimit, duke shpjeguar me një komunikatë për shtyp pse vendosi ta lejonte largimin e Hasanit.
“KF Vllaznia përmes kësaj komunikate për shtyp sqaron të gjithë çështjen në lidhje me futbollistin Edon Hasani. Duke e konsideruar një veprim aspak të denjë mënyrën e largimit dhe të firmosjes së kontratës nga ana e tij me klubin Iranian të Sepahanit, klubi është vënë në lëvizje për të bërë bllokimin e kësaj transferte. Por ndërkohë, vetë lojtari ka kërkuar falje për një sjellje të tillë dhe ka bërë një kërkesë zyrtare për ndërprerjen e kontratës me klubin tonë duke hequr dorë nga disa pretendime financiare. Po ashtu, edhe nga klubi i Sepahanit është bërë një kërkesë zyrtare, me shfaqje interesi për këtë futbollist, duke ofruar edhe një shumë financiare. Në këto rrethana, ditën e martë më datë 26.12.2017, administratori i klubit z. Astrit Gjyrezi ka thirrur një mbledhje të Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë aksionare “KF Vllaznia sh.a”. Njëkohësisht, në këtë mbledhje ka qenë i ftuar edhe trajneri i ekipit të parë Ernest Gjoka. Në fund të shumë diskutimeve të bëra, të gjitha palët kanë dalë në akordin përfundimtar që futbollisti të lejohet për t’u larguar. Kjo ngaqë, skuadra aktualisht ka shumë alternativa në repartin e mesfushës ku ai luan. Përpos kësaj, shuma që klubi përfiton nga ndërprerja e parakohshme kësaj kontrate, do të shërbejë për merkaton e ardhshme të skuadrës për plotësimin e saj me lojtarë në pozicione ku ajo ka më shumë nevojë. Në këto kushte, nga dita e sotme, KF Vllaznia dhe futbollisti Edon Hasani kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës dypalëshe të punës duke e lënë futbollistin të lirë për të firmosur për klubin “Sepahan”.