Vllaznia garanton: “Nuk ka largime të tjera nga ekipi”

Gaspër Marku

Zbritja në Kategorinë e Parë, fenomen që në fakt vazhdon të përjetohet aspak mirë në opinionin sportiv shkodran duket se mund të jetë e keqja më e vogël për Vllazninë. Kjo, sepse duke konstatuar problemet në dukje rreth riorganizimit të strukturave të klubit Vllaznia në Shkodër ka filluar të krijohet një situatë pesimiste aq sa frika është se mos skuadrën kuqeblu, mund ta përfshijnë edhe probleme të tjera, duke e mbajtur më gjatë se një sezon futbollistik në Kategorinë e Parë. Zyrtarë dhe trajnerë të dorëhequr, konfuzion dhe luftë brenda vetes edhe në procesin e zgjedhjes së strukturave të reja, lojtarë që kanë filluar të ikin dhe shumë të tjerë që kanë paralajmëruar një gjë të tillë të krijojnë idenë se futbolli shkodran nuk jep shpresë për të ardhmen e tij. Megjithatë, ndryshe mendojnë në kampin kuqeblu. Për zëdhënësin e shtypit të Klubit të Futbollit Vllaznia, Gjergj Kola, i vetmi për momentin që ka mbetur në zyrat e klubit kuqeblu pas dorëheqjes së shefave të tij, situata nuk është krejt ashtu sa paraqitet në opinion. “Nuk besoj se është një situatë aq konfuze sa paraqitet në opinion. Natyrisht, që ka disa lëvizje në klub, është një dorëheqje e deklaruar e administratorit Astrit Gjyrezi, por pritet që të ketë ndryshime ditët e ardhshme. Drejtuesit e lartë të klubit po merren me këtë çështje, por më shumë se sa çështja e posteve që do të mbushin klubin me njerëz të ri në të ardhmen, besoj që është moment për të sqaruar se situata nuk është konfuze sa i takon lojtarëve”, thotë zëdhënësi Kola.

Largimet nën kontroll – Largimi i mesfushorit-sulmues, Arlind Kalaja tek Kukësi vetëm pak ditë pas Vllaznia firmosi zyrtarizimin e largimit nga Kategoria Superiore, ndërkohë që edhe të tjerë potencialë të titullarëve paralajmërojnë për një gjë të tillë, krijoi idenë e një shpërbërje të kuqebluve për të rrezikuar kësisoj të ardhmen e skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Në ndryshim nga ajo që përflitet në opinion, prononcimi i dhënë për medien nga ana e zëdhënësit të shtypit, Gjergj Kola është një sinjal pozitiv për të qetësuar tifozët shkodranë se realisht nuk ka ndonjë “alarm” tek Vllaznia. Duke folur në emër të klubit kuqeblu, ai bën të ditur se të gjitha sa flitet mediatikisht për momentin nuk kanë asgjë konkrete, sepse Vllaznia e bazën e skuadrës së saj dhe që përpos Kalasë nuk ka asnjë largim tjetër. “Po flitet shumë për largime dhe dyndje futbollistësh për t’u larguar nga skuadra e Vllaznisë, por deri në këto momente, zyrtar është vetëm largimi i Arlind Kalasë nga Vllaznia, i cili siç dihet ka firmosur për skuadrën e Kukësit. Ky është një futbollist që ka mbaruar kontratën me Vllazninë që më 31 maj 2018 dhe duke qenë në këto kushte, natyrisht që ka bërë zgjedhjen e tij për vazhdimin e kontratës, duke vijuar karrierën e tij sportive në një ekip tjetër“, sqaron përfaqësuesi i zyrës së shtypit, Gjergj Kola. Në vijim, ai saktëson se janë edhe dy-tre futbollistë të tjerë, të cilëve u ka mbaruar kontrata me datë 31 maj, ndërkohë që pjesa tjetër, rreth 80 përqind e skuadrës është nën kontratë, apo kontratat e tyre kanë disa opsione me të drejtë rishikimi të dy palëve, apo edhe ana e klubit Vllaznia. “Kjo do të thotë se skuadra e Vllaznisë është e formatuar për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, do të jetë stafi i ri i Vllaznisë, ai që do të vendosë pastaj pikat mbi “I” se cilët lojtarë do të mbahen, cilët lojtarë do të vijnë nga Akademia Vllaznia, apo cilët lojtarë do të vijnë edhe nga ekipet e tjera në merkaton, brenda dhe jashtë vendit. Besoj se kjo është një situatë që ka kohë për të menduar për merkaton e futbollistëve të Vllaznisë, sepse siç dihet kampionati do kohë për të filluar. E rëndësishme që në këto momente Vllaznia, edhe përmes një komunikate për shtyp të shpërndarë pak ditë më parë u ka mbyllur derën të gjithë largimeve për të gjithë futbollistët që janë nën kontratë”, shprehet Kola.

Funksionimi – I pyetur se sa mund të krijojë problem për funksionimin e kuqebluve të qenit e klubit Vllaznia pa zyrtarët e duhur në drejtim, prej të cilëve mund të mungojë një firmë e duhur për futbollistë të ndryshëm që mund të ofrohen apo largohen Kola e shikon këtë si një diçka kalimtare dhe së shumë shpejt do të gjejë normalitetin e duhur. “Merkato, sapo ka nisur dhe nuk është çështje se kush do të firmosë për largimin e ndonjë lojtari nëse vjen ndonjë oferte nga brenda apo jashtë vendit, apo ndonjë tjetër që pritet të ofrohet për t’iu bashkuar kuqebluve. Merkatoja përfundon më 31 gusht të këtij viti dhe natyrisht që ka kohë deri atëherë për çdo futbollist që dëshiron të largohet besoj se do të gjejë mirëkuptimin që brenda pak ditëve të marrë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve në klubin Vllaznia.”, thekson ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *