Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ishte i pafat në ndeshjen e djeshme. Ai u detyrua të kryente dy zëvendësime të detyruara. Berisha dhe Gocaj, dy titullarët e mbrojtës, nuk arritën të mbyllnin sfidën, pasi u dëmtuan duke shqetësuar jo pak stafin teknik në kampin e kuqebluve. Në harkun kohor të 3 minutave, Gjoka nxori nga loja Berishën fillimisht dhe më pas dhe Gocajn.
BERISHA – Mbrojtësi i bëri vend shkodranit Pjeshka në minutën e 63-të. Ai nuk ia doli të mbaronte sfidën, pasi pësoi një tërheqje rrëzë kofshës. Gjoka e zëvendësoi menjëherë, pasi nuk dëshiroi të rrezikonte më tej me të. Berisha është kthyer në një titullar të rëndësishëm në skemat e trajnerit Gjoka.
GOCAJ – Tre minuta pas daljes së Berishës, i erdhi radha Gocajt të linte fushën e blertë. Ai pësoi një dëmtim në gju pas një ndërhyrje të lojtarëve të kuq. Gocaj u detyra të linte fushën e blertë në minutën e 67-të. Ai nuk ia doli dot të vazhdonte më. Largimi i tij me barelë nga fusha e blertë la një shije të keqe në stafin e kuqebluve, madje solli dhe panik. Gocaj është stabilizuar mirë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Trajneri Ernest Gjoka duhet të arnojë mbrojtjen për sfidën e radhës, pasi Berisha dhe Gocaj janë out. Radha për të luajtur është e Pjeshkes dhe Gurishtes. Një mundësi mund të kërkojë dhe mbrojtësi tjetër Samet Ruqi.