Gaspër Marku
“Mbas një të keqe, thonë se gjithmonë vjen një e mirë”. Një shprehje kjo që sidomos në Shkodër përdoret shpesh në mjedisin publik, dhe që në rastin konkret të Vllaznisë kjo merr vlerë disi më tepër. Që do të thotë se pas dëshpërimit të madh që shkodranët patën dhe realisht vazhdojnë ta përjetojnë çdo ditë e më shumë, atë të rënies nga kategoria, duket se për futbollin shkodran ka lajme të mira. “Drita në fund të tunelit”, ka të bëjë me privatizimin e “KF Vllaznia” duke bërë kështu që një ndër çështjet më të lakuara kjo gjatë periudhës së fundit të marrë drejtimin e duhur. Procesi në fjalë, në fakt ka kohë që ka nisur në Bashkinë e Shkodër, ku edhe lajmet dhe informacionet rreth ecurisë së tij nuk kanë munguar të bëhen publike. Megjithatë, edhe pse nga numri një i qytetit, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi bëhet e ditur se kjo procedurë që ka nisur është në rrugë të mbarë ka edhe skeptikë që pak besojnë.
VLERA – 507 milion lekë kushton Klubi i Futbollit Vllaznia. Kjo të paktën kjo është shifra zyrtare që ka arritur në konkluzionin e saj pas një pune disa mujore kompania audituese “Albanian Audit Partners SHPK”, e cila ka dorëzuar raportin e detajuar në Bashkinë e Shkodrës. Nga sa bëhet e ditur, specialistët e kësaj kompanie kanë marrë në konsiderate një sërë elementesh që lidhen me aktivitetin e klubit kuqeblu, duke nisur nga historia dhe tradita e këtij klubi, i pari i këtij lloji në Shqipëri, emblema, logoja, rezultatet, trofetë dhe sukseset e arritura në vite, figurat dhe autoriteti që ka përcjellë klubi kuqeblu në breza të ndryshëm në shërbim të futbollit shkodran dhe atij kombëtar në përgjithësi. Pa harruar edhe infrastrukturën dhe investime të tjera shtesë në vijimësi, që Bashkia e Shkodës ka depozituar si pronare e saj e ligjshme. Të gjithë këto, kompania audituese “Albanian Audit Partners SHPK” i ka përpiluar në një raport të gjatë dhe të hollësishëm prej 58 faqesh duke bërë të ditur se çmimi dysheme për shitjen e “KF Vllaznia sh.a.” është 507 milion lekë.
Asambleja dhe nxjerrja në ankand, në fund të muajit
I gjithë dokumentacioni bazë i hartuar në mënyrë zyrtare nga ana e kompanisë audituese “Albanian Audit Partners SHPK” për vlerën e çmimit dysheme të shitjes së Vllaznisë pritet që të dalë shumë shpejt në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të “KF Vllaznia”, që në rastin konkret është Këshilli Bashkiak Shkodër në mbledhjen e radhës. Mbledhje e cila sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet me datë 26 qershor në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër. Një proces ky që vetë kryebashkiakja Ademi e ka paralajmëruar si shumë të rëndësishëm për fatet e së ardhmes së futbollit shkodran, për të cilin ka garantuar një transparence totale, gjë për të cilën ka ftuar edhe mediat ta përcjellin drejtpërdrejtë këtë moment me shumë vlerë për të ardhmen e Vllaznisë. Pas paraqitjes së raportit për të këshilltarët nga ana e kompanisë audituese “Albanian Audit Partners SHPK”, do të jenë këto të fundit që do të votojnë për miratimin e asaj që ka zyrtarizuar kompania në fjalë. Me aprovimin e saj nisë menjëherë procesi i ankandit duke zyrtarizuar ligjërisht shitjen e “KF Vllaznia”.
INTERESIMI – Konkurrimi pritet me shumë interes, pasi tashmë për opinionin sportiv ky është momenti të mësojë emrat e atyre që janë të interesuar për Vllazninë. Kandidatura të ndryshme të interesuara për blerjen e aksioneve tek Vllaznia deri më tani janë bërë publike edhe me emra konkrete, megjithatë, nga sa thuhet lista e atyre që janë të interesuar për të blerë Vllazninë është jo pak e vogël. Që do të thotë se shifra dysheme prej 507 milion lekë me të gjitha gjasat, me konkurrencën brenda të interesuarave, do të vijojë të ngrihet nga persona apo kompani të ndryshme biznesi që synojnë të jenë në drejtimin e klubit kuqeblu.
BORXHET – Nëse dikush mund të mendojë se Vllaznia është vlerësuar me çmim më të ulët nga sa i takon, nuk duhet harruar se ekziston edhe një borxh gjigant, thuajse 1.5 miliardë lekë (të vjetra). Natyrisht, asnjë biznesmen nuk i afrohet dot Vllaznisë me këtë borxh, por mendohet që ky borxh të shlyhet gradualisht nga bashkia.