Përballjen e parë të këtij viti, Vllaznia B e drejtuar nga trajneri Ervis Kraja do ta luajë përballë Korabit të Peshkopisë, ndeshje kjo e programuar të luhet sot në stadiumin “Reshit Rusi”. Në prag të këtij takimi, mesfushori i kuqebluve të B-së, Gjorgj Kushi, shprehet optimist për një start të mbarë të Vllaznisë B.
“Gjatë merkatos dimërore, Vllaznia B ka pësuar ndryshime, ku krahas largimeve ka pasur edhe afrime të rëndësishme në skuadër që pritet të japin rezultatet e duhura në fushën e lojës. Largimi që spikat është sulmuesi Bekim Erkoçeviç, i cili pranoi ofertën e Besëlidhjes për të luajtur me këtë skuadër në pjesën e dytë të sezonit futbollistik. Ndërkohë, që të njëjtën gjë ka bërë edhe futbollisti i ri Soni Hoti, i cili ka kaluar tek Kamza, dhe po ashtu edhe mesfushori Bekim Dema duke u vënë në kërkim të një skuadre tjetër. Por, nga ana tjetër, në dispozicion të trajnerit Kraja janë vënë edhe disa futbollistë të tjerë shkodranë që më përpara kanë luajtur për disa skuadra të tjera. Bëhet fjalë për dy emra të njohur të futbollit shkodran, si: Ergi Borshi dhe Erbet Hotajt apo Denis Dyca. Ne do të synojmë pesëshen e parë”, – ka pohuar Kushi.
Formacioni i mundshëm: Vjerdha, Hotaj, Borshi, Isufi, Ruqi, Kushi, Brahimi, Dyca, Rajçeviç, Bega, Hallunaj. Trajner: E. Kraja.