Partizani rikthehet pas një viti te fitorja në derbi, duke mposhtur Tiranën me shifrat minimale 1-0. Një triumf i tillë padyshim që ka veshur me buzëqeshje fytyrat në kampin e kuq. Në një prononcim për mediat pas derbit, Olsi Rama nuk e fsheh kënaqësinë e fitores, ndërsa falenderon Vllazninë për Erald Çinarin, i cili këtë vendosi fatin e takimit me golin e tij. Më tej nuk lë mënjanë edhe “thumbat” për arbitrimin, duke e quajtur si një episod të radhës të një serieli si të shkatërrosh derbin.
“Mos më fusni në konflikt me Vllazninë. Sapo i falënderova për Çinarin, shkodranin tonë të mirë që na bëri golin edhe për Hakajn gjithashtu. Vllaznia po tregon vlerat e veta, po i jep ritëm kampionatit. Kemi ndeshjen e javës që vjen, që është një ndeshje tepër e rëndësishme.
Fitorja të kënaq, gjithmonë, kur vjen edhe me një lojë bindëse të kënaq edhe edhe më tepër. Arbitrat janë një e keqe e domosdoshme e futbollit. Bëtë mirë që në fillim pyetët për gjëra të rëndësishme dhe nuk pyetët për arbitrimin. Ishte episodi i radhës i serialit si të shkatërrosh një derbi, pati gjykim me probleme në të dyja anët. Nuk dua të flas për gjërat që janë më pak të rëndësishme.
Derbi jashtë Tiranës është nga halli. E kemi kthyer Elbasanin në shtëpinë tonë, sepse ka një fushë të mirë, “Selman Stërmasi” nuk është në nivelin e duhur. Deri sa të bëjmë stadiumin tonë.
Nuk kam pasur asnjë informacion për konfliktet jashtë stadiumit. E di që tifozët tanë na ndjekin dhe na japin ngrohtësinë. Nuk i pashë te pallati sipër, mbase policia ka marrë masat. Nuk do të doja që një ndeshje e Partizanit të kthehej në një problem në këtë kohë për pandemie”, ka thënë Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/