Marash Kumbulla kaloi një moment të vështirë te Roma, teksa trajneri Murinjo e shigjetoi hapur duke thënë se niveli i tij është shumë i ulët për Serinë A. Megjithatë mbrojtësi shqiptar nuk ngriti aspak zërin ndaj teknikut, duke ulur kokën për të punuar më shumë. Tanimë Kumbulla ka fituar më shumë besimin e portugezit. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Reja është shprehur se nuk mbetet i habitur nga lënia e shansit për mbrojtësin shqiptar.
“Në fillim në Romë hasi disa vështirësi, në Verona u përkëdhel pak, ndihej si në shtëpinë e tij. Edhe në Shqipëri ai luan me skemën me tre mbrojtës, është perfekt në atë modul, mund t’i bëjë të dyja modulet, nëse gjen besim mund të rritet më tej, ka kufij të mëdhenj për t’u përmirësuar.
Në kokën e tij është i mirë, di të përshtatet dhe të përfitojë nga topat joaktivë, ka kohën e duhur. Nuk habitem që po gjen më shumë hapësira, jam i lumtur që e shoh protagonist në një kampionat të vështirë si ai italian. Ai është një profesionist i madh, një punëtor i vërtetë. Ai vjen nga një familje shumë serioze dhe kjo e ndihmon”, tha Reja. /Sport Ekspres/