Tirana ka mundur Kukësin me rezultatin 1-2 në takimin që u zhvillua në “Air Albania” dhe ishte transfertë për bardheblutë. Të paktën sipas kalendarit të Superiores, pasi në stadium gjendeshin më tepër tifozët kryeqytetas.
Verilindorët kaluan të parët në avantazh pas autogolit të Kristi Vangjelit në minutën e 53, që ishte i pafat në atë devijim. E kur të gjithë e panë takimin si të përfunduar, erdhi edhe përmbysja. Fillimisht do të ishte Teqja që do e linte Kukësin me një lojtar më pak pas dy kartonëve të verdhë. Në atë goditje dënimi, Batha dha një magji të vërtetë duke e ndalur topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë ishte Torrasa që e kishte si lojë fëmijësh për të gjetur golin, pasi Kobina e nxori me portën e boshatisur.
Një festë e madhe dhe e papërmbajtur ishte edhe nga trajneri Egbo, që me gishtin drejtuar në qiell, ia faturon vetëm Zotit gjithë këtë mrekulli të ndodhur në pak kohë dhe atëherë kur askush nuk e priste. Tirana kryeson Superioren pas kësaj fitore, duke lënë pas Kukësin me dy pikë larg. /Sport Ekspres/
Tirana: Lika, Hoxhallari, Vangjeli, Muça, Doka, Batha, Çelhaka, Torassa, Cale, Cobbina, Muçi
Kukësi: Xhika, Maliqi, Teqja, Obanor, Musta, Musolli, Limaj, Rroca, Et’hemi, Abazaj, Shkurtaj