LIVE, Çeki-Shqipëri U21 4-0 Ostrak 7′, Fila 13′, Danek 32′, Sulc 84′
Nëse Kombëtarja mbrëmjen e djeshme dhuroi emocione të veçanta për të gjithë tifozët dhe mori një fitore bindëse kundër Hungarisë, e njëjta gjë nuk vlen për ekipin e 21-vjeçarëve. Shpresat e drejtuara nga Alban Bushi janë larg shkëlqimit të djeshëm të Shqipërisë, teksa mposhten me shifrat e thella 4-0 nga bashkëmoshatarët e Çekisë.
Një ndeshje pa shumë histori kjo për skuadrën tonë, që e pa veten në disavantazh që në minutat e para. Ishin dy gafa të portierit Marko Alia ato që sollën një goditje të fortë që në fazën e hershme të lojës për kuqezinjtë. Dy grushtime të gabuara në minutën e 7 dhe të 13 i dhanë kundërshtarët luksin për të udhëhequr 2-0.
Më pas çekët do të shfrytëzonin më së miri rëndesën psikologjike të 21-vjeçarëve shqiptarë, duke shënuar edhe të tretin brenda pjesës së parë. Fraksioni i dytë i lojës nuk solli reagimin e pritur nga ekipi ynë kombëtar, që nuk arrin dot të tundë rrjetën e rivalëve. Në momentin kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Sulc ndëshkon përsëri portën e Alias dhe mbyll përfundimisht historinë e kësaj sfide të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U21./Halit Delibashi-Sport Ekspres/