“Po sikur të na ketë mallkuar dikush”. Kështu u shpreh menjëherë pas përballjes me Apoloninë trajneri i Teutës, Edi Martini. Pas shumë barazimeve radhazi në Superiore ka ardhur fitorja në transfertën me Apoloninë në shifrat 0-1. Megjithatë ky nuk ishte triumf i qetë për ekipin durrsak pasi duhej të qëndronin të vëmendshëm deri në vërshëllimën e arbitrit për të mos i ikur fitorja nga duart. Një nga momentet që ishte për të vendosur duart në kokë i përket Blerim Krasniqit.
Ky i fundit pasi arriti që të kalojë portierin, me portën që ishte tërësisht e zbrazur, ka bërë më të vështirën duke e dërguar topin jashtë. Padyshim që ky moment e ka goditur më tepër psikologjikisht sulmuesin, por duke vendosur në alarm edhe trajnerin Martini se përveç kundërshtarit duhej të bënte llogaritë edhe me fatin kundër. /Sport Ekspres/