Partizani-Bylisi është ndeshja që ka mbyllur javën e 30 të “Abissnet Superiore“-s. Të kuqtë kanë mposhtur mallakastriotët me shifrat 2-1 dhe marrin tre pikët. Kryeqytetasit ndjekin ritmin e Tiranës, duke mos i lejuar të shkëputen edhe më tepër në krye të klasifikimit.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 18, kur Arinaldo Rrapaj e dërgoi topin në rrjetë. Bylisi barazon po në pjesën e parë, teksa Esquerdinha shënon gol në minutën e 34-t. Partizani kundëpërgjigjet përsëri në pjesën e dytë të ndeshjes. Da Silva tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe e ndal topin në rrjetë në momentin që kronometri po maste minutën e 55.
Në minutën e 85 gjyqtari akordon sërish penallti për Partizanin, por VAR-i i heq mundësinë Carës të ekzekutojë 11 metërshin. Pas rishikimit të pamjeve në monitor, arbitri vendos të anullojë penalltinë e dhënë. Ndërkohë, Cara ishte i pafat edhe në kohën shtesë, kur anësori i anullon golin e shënuar për pozicion jashtë loje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Partizani (3-5-2): Rexhepi; Sota, Telushi, Atanaskoski; Hadroj, Murataj, Massanga, Rrapaj, Buxhelaj; Mba, Da Silva. Trajner: Giovanni Colella
Bylis (4-2-3-1): Teqja; Trumçi, Abazaj, Zhongo, Zguro; Maçolli, Lorran; Abu, Esquerdinha, Lajthia; Kaçorri. Trajner: Naxhi Shensoi