LIVE, Poloni-Shqipëri 4-1 Levandovski 12′, Buksa 44′, Krishoviak 54′, Lineti 88’/ Cikalleshi 24′
Ndeshjet e shtatorit nisin me humbje për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë kanë dalë të mposhtur nga Varshava, ku Polonia triumfoi me rezultatin e thellë 4-1. Pavarësisht mungesave në formacion, polakët u treguan më efikas përpara portës, duke shfrytëzuar çdo mundësi që i loja i rezervoi.
Vetëm 12 minuta mjaftuan që nga një goditje standard Levandovski të përshëndeste rrjetën. Cikalleshi ndez shpresat e kuqezinjve me atë diagonale perfekte në minutën e 24-t, kur kthen përsëri baraspeshën. Djemtë e Rejës qarkulllojnë topin dhe krijojnë raste, por finalizimi u mungon. Në fund të pjesës së parë, Polonia ndëshkon përsëri ekipin tonë kombëtar me rastin e dytë që i jepet deri në ato momente.
Ndërkohë pjesa e dytë do të sillte edhe dy gola të tjerë për polakët, që pavarësisht se nuk kanë dominuar takimin, dinë si të marrin maksimumin në zonën e rreptësisë. Krishoviak tund rrjetën në minutën e 54-t, ndërsa pak minuta para fundit të kohës së rregullt ishte Lineti ai që i dha goditjen përfundimtare kuqezinjve. Një humbje kjo që dhemb shumë për Kombëtaren tonë, qëftë për pozitat në grup, ashtu edhe për faktin se rezultati nuk tregon aspak atë që prodhoi fusha e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/