LIVE, Kukësi-Laçi 1-0, Ibraimi 43′
Kukësi më në fund ka marrë 3 pikët e para në Kategorinë Superiore. Një fitore që padyshim shkon e gjitha për trajnerin Skënder Gega, i cili prej disa ditësh nuk është ulur në stolin e verilindorëve për shkak se është prekur nga Covid-19, ndërsa mëngjesin e sotëm gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe tekniku tropojan është detyruar të shkojë për trajtim më të specializuar në Turqi. Kjo është përkthyer në një motiv shtesë për lojtarët, të cilët me triumfin e sotëm i japin forcë trajnerit Gega për t’u rikthyer sa më parë aty ku e ka vendin, në stolin e Kukësit.
Nënkampionët kanë mposhtur me shifrat minimale 1-0 skuadrën e Laçit në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-t të Kategorisë Superiore. Takimi u vendosi vetëm pak minta përpara përfundimit të pjesës së parë dhe merita këtu ka portieri kundërshtar. Pas gabimeve te Vllaznia në sezonin e shkuar, tashmë Sherrin e përndjekin gabimet edhe te Laçi, teksa në tentativë për të larguar topin e përplas këtë të fundit në trupin e Ibraimit, duke i falur sulmuesit kundërshtar golin e parë me fanellën e re të Kukësit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/