Pjesa dërrmuese e kampionateve në Europë kanë ndalur aktivitetin e tyre, teksa në zemër të kontinentit të vjetër pandemia Koronavirus ka fituar ndjeshëm terren. Përhapja e virusit edhe në Shqipëri ka sjellë marrjen e masave drastike, duke bërë të njëjtën gjë si fqinjët e Italisë, izolim në shtëpi. Një mesazh në lidhje me situatën e krijuar vjen edhe nga Spanja, aty ku Rei Manaj i këshillon të gjithë shqiptarët që të qendrojnë në banesat e tyre.
Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë në faqen zyrtare në “Facebook” një video, ku shihet sulmuesi shqiptar i Barcelonës, i cili përcjell edhe mesazhin e tij. “E kemi ne në dorë” shprehet Rei Manaj, që i bën thirrje të gjithëve të qendrojnë në shtëpi, në mënyrë që e nesërmja të jetë më e shëndetshme.
“Përshëndetje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Në këtë moment të vështirë, ku situata është kaq kritike, vendosim së bashku të rrimë në shtëpi. E kemi ne në dorë. Bëhuni të ndërgjegjshëm për veten tuaj dhe për njerëzit e dashur. Rrimë në shtëpi sot për një të nesërme të shëndetshme”, ka thënë Rei Manaj./Sport Ekspres/