Një ndeshje dramatike u zhvillua në fund mes Erzenit dhe Laçit që është mbyllur me shifrat 1-1. Pjesa e parë do të mbyllej në barazimin 0-0 dhe me pak raste të krijuara. Në të dytën ishte Erzeni që kaloi i parë në avantazh. Ademi u gjend para portës dhe nuk e kishte të vështirë të shënonte me kokë në të 66.
Vendasit po krijonin më tepër mundësi shënimi, ndërsa Laçi nuk po reagonte. Në fundin e takimit, Kahrimanovic hyri në zonë mes driblimeve dhe mund të shënonte golin e dytë. Por lojtari i Erzenit kërkonte të merrte në driblim të gjithë lojtarët për të dhuruar spektakël, duke mos zgjedhur që të godas portën.
Mbrojtësi i fundit arriti të ndërhynte saktë dhe nisi kundërsulmin, nga ku Ujka lëshoi predhën që përfundoi në rrjetë. Kahrimanovic kërkoi falje, por kjo nuk mjaftoi, dy pikë u humbën prej tij. Në minutën e fundit Laçi do të godiste edhe shtyllën për t’iu afruar përmbysjes. /Sport Ekspres/
Erzeni: Xhika; Iljazi, Enck, Peposhi; Kadriu, Krivicic, Mehmeti, Alan; Ademi; Kahrimanovic, Nonato. Trajner: Xh.Kapllani
Laçi: Selmani; Velkoski, Rudolf, Roganovic, Ziko, Ujka, Manellari, Spahiu, Barjamaj, Mazrekaj, Shkurtaj. Trajner: G.Mezani