Mbrëmja e sotme është mbyllur me zhgënjim në Tel Aviv. Izraeli na fundos në fund të grupit me fitoren 2-1. Ndeshja nis me një rast të pastër nga Armando Broja, i cili gabon një për një me portierin. Izraeli pati rastet e veta në pjesën e parë, ndërsa në minutën e fundit ishte Broja i cili sërish dështon ballë për ballë portierit.
Pjesa e dytë nis me festën izraelite. Vetëm 40 sekonda nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës dhe Vajsman shkund rrjetën. Kuqezinjve u mungon kthjelltësia pas disavantazhit, prandaj Reja ndërhyn me zëvendësimet. Uzuni hyn nga stoli dhe për një moment merr rolin e heroit. Sulmuesi beratas konfirmon formën e jashtëzakonshme që po kalon, teksa në minutën e 86 realizon një gol për kornizë me topin që gjendej ende në ajër.
Por festa i lë shpejt vendin trishtimit. Mihaj flak në kosh magjinë e Uzunit, teksa bën një gafë amatoreske në zonë. Mbrojtësi i Beneventos nuk koordinohet dot me topin dhe ngatërrohet me këmbët e tij. Topi mbetet në zonë dhe Izraeli kalon sërish në avantazh. Festa i takon e gjitha izraelitëve, të cilët siguronë vendin e parë në grup dhe sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e Ligës A në Ligën e Kombeve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/