Ndeshja mes Partizanit dhe Egnatias është mbyllur mes tensionit dhe polemikave. Një përballje që pritej të ishte emocionuese dhe ashtu rezultoi. Të kuqtë do të shënonin të parët me anë të Mba në minutën e 33. Vendasit e mbajtën avantazhin thuajse për gjithë takimin dhe në minutën e 84 kërkuan një penallti për të dyfishuar rezultatin. Shumë protesta që e ndëshkuan me karton të kuq edhe trajnerin e Partizanit. Megjithatë arbitri nuk zgjodhi që të jepte 11 metërshin. Në minutën e 90, lojtari i Egnatias, Bakoyoko realizoi një gol spektakolar me rroveshatë.
Ai festoi te tifozët e Partizanit dhe u ndëshkua me karton të kuq. Dy kartonë të verdhë, një për heqjen e fanellës dhe tjetra për festën para tifozëve të Partizanit. Kështu do të mbaronte ky takim, 1-1. Nga krahu tjetër te Skënderbeu-Tirana kishte shumë raste, por ndeshja përfundoi në 0-0. Edhe në këtë takim momentet më emocionuese ishin ato në fundin e takimit ku Skënderbeu dhe Tirana kishin dy mundësi të pastra goli, por asnjë prej tyre nuk u konkretizua. /Sport Ekspres/