VIDEO/ Lënia në stol i ka bërë keq, gabimi i Strakoshës “bën me zemër” Lacion dhe ka si “hero” Saviç

Pas 8 ndeshjeve që ka qëndruar në stol, Thomas Strakosha është rikthyer si titullar tek Lacio. Trajneri Inzagi i besoi në përballjen ndaj Fiorentinës që lacialët e kanë fituar në shifrat 2-1. Lënia në pankinë për një kohë të gjatë kishte ndikuar së tepërmi te gardiani shqiptar. Nervozimi është shfaqur në momentet kulminante të ndeshjes, ndërsa mungonte guximi për të dalë nga porta dhe për të ndihmuar mbrojtjen në çastet vendimtare. Ndeshja dukej e përfunduar pasi Caicedo dhe Imobile shënuan golat për Lacion duke e dërguar rezultatin në 2-0.

Pas një pjese të parë thuajse pa asnjë gjuajtje në portë, situata ndryshon në minutat e fundit. Një ndërhyrje vendimtare e Strakoshës erdhi në minutën e 66 pas gabimit të Patric, atje ku sërish u shfaq nervozimi i gardianit kuqezi që lëshoi kritikat e mëdha për mbrojtësin e Lacios, megjithëse ishte hera e parë që vendosej në provë. Për të kaluar në minutën e 77 atje ku si hero shfaqet Milinkoviç-Saviç që heq topin që po shkonte drejt rrjetës me kokë. E kur po vinin minutat e shtesës, Strakosha përsërit gabimin që kritikoi te Patric.

Pasimi për në krahun e majtë në mbrojtje ishte tërësisht i pallogaritur, ndërsa Callejon përfitoi për të marrë topin dhe për ta dërguar te Vlahovic, i cili arriti të fitonte penalltinë. Prej andej do ta dërgonte topin në rrjetë, pavarësisht se portieri i Lacios e kuptoi krahun. Pesë minuta ankth për Lacion në shtesë dhe Fiorentina ishte e hedhur e gjitha në sulm për të barazuar rezultatin, ndërsa më parë llogaritej si një ndeshje pa histori. Por fatmirësisht për Strakoshën nuk kishte një tjetër gol të pësuar dhe Lacio merr tre pikët e radhës në kampionat. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *