Një nga ndeshjet më interesante të kësaj jave në Kategorinë e Parë ishte ajo që u zhvillua ditën e sotme mes Beses dhe Devollit. Kavajasit fituan 3-0 duke u rikthyer te fitorja dhe pretendimet për ngjitjen në Superligë sezonin tjetër. Protagonisti kryesor i këtij takimi ishte Tedi Cara. 19-vjeçari i talentuar arriti të ishte protagnist me një gol dhe një asist për shokët e skuadrës. Cara arriti të ekzekutonte në mënyrë fantastike një goditje dënimi. Gol që ia bëri edhe më të lehtë fitoren verdhezinjëve.
Djaloshi i dalë nga akademia e verdhezinjëve po tregon nga java në javë që është lideri absolut i kavajasve si edhe një lojtar që meriton të luajë në nivele shumë më të larta. Me golin e sotëm ai u ngjit në kuotën e 5 golave të shënuar këtë edicion si edhe numëron 4 asiste. Këto shifra të regjistruara vetëm në 9 ndeshje. Duhet theksuar këtu se sulmuesi ka gjetur rrugën e rrjetës edhe në kupën e Shqipërisë.
Shifra këto që tregojnë që Cara është një futbollist i një kalibri tjetër nga ai i Kategorisë së Parë. Duhet theksuar se lojtar i ditëlindjes 15.04.2000 është edhe kapiteni i kombëtares U-20 të Shqipërisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Ilir Biturku kanë pikërisht si udhëheqës kavajasin e talentuar.
Duket se shkolla kavajase e futbollit pas emrave impresionues të viteve të fundit si Rraklli, Cikalleshi apo Lila afron talentin e rradhës. Me performanca të tilla, Cara ka tëehequr vëmendjen e klubeve të Superligës dhe me siguri janari mund ta gjejë në një kampionat të një niveli më të lartë 19-vjeçarin. /Endri Cinar-Sport Ekspres/