Mirlind Daku nuk ndalet me golat e shënuar në Rusi. Sulmuesi shqiptar është duke kaluar një super formë te Rubin Kazani para ndeshjeve që Shqipëria do të zhvillojë në shtator për Ligën e Kombeve. Në katër ndeshjet e fundit, Daku ka shënuar katër gola radhazi, duke mos munguar në asnjë takim pa dhënë kontributin e tij. Kështu ndodhi edhe sot, teksa Rubini fitoi 2-0 ndaj Dinamos. Në minutën e 45, Daku do të merrte përsipër ekzekutimin e penalltisë. Ai arriti që të mposht portierin kundërshtar, pavarësisht se ky i fundit kërkoi që ta tensionte para ekzekutimit, duke luajtur pak me nervat e Dakut.
Deri diku ia doli pasi topi shkoi pak më lartë se Daku e priste, por në fund u realizua një gol që portieri i Dinamos nuk mund ta evitonte edhe nëse Mirlindi do t’i kishte treguar krahun më herët. Në fund, Daku ka zgjedhur që të tallet paksa me portierin kundërshtar. Ndërkohë pas ndeshjes, portieri i Dinamos, David Volk, komentoi edhe “incidentin” me Dakun. “Gjuajtja e Dakut ishte e mirë sigurisht, por cdo goditje mund të kapet. Nuk ka problem për sjelljen, Daku është një djalë i vecantë dhe atij i pëlqen që të sillet dhe të duket në këtë mënyrë, do të duket pak arrogant. Por nuk ka problem, ky është futbolli dhe çdokush e tregon veten sic dëshiron”, tha portieri kundërshtar. /Sport Ekspres/