Strakosha ka humbur terren në portën e Lacios pas ardhjes në ekip të një portieri me një eksperiencë të pasur si Reina. Edhe pas rikthimit nga pandemia, gardiani shqiptar e gjen veten në stol, me spanjollin që ka zënë vendin e tij në katërkëndësh. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në ndeshjen e sotme të Champions League, ku bardhekaltrit luajnë “finalen” kundër Bryzh, ndaj të cilëve nuk duhet të humbasin për të siguruar kualifikimin.
Në një ndeshje kaq vendimtare mendohej se prania e një portieri si Reina do të sillte një siguri shtesë dhe do të shërbente si një plus për Lacion, por në këto minuta të para po rezulton e kundërta. Gardiani andaluzian ka qenë pre e një gafe qesharake, teksa në minutën e 15 i dhuron golin Bryzhit. Belgët godasin nga distanca dhe Reina nuk pret në mënyrën e duhur, duke e lënë topin në zonë, aty ku Vormen e ka mjaft të lehtë ta dërgojë në rrjetë dhe të barazojë shifrat në 1-1./Halit Delibashi-Sport Ekspres/