Një ndeshje e pabesueshme ishte ajo mes Bylisit dhe Dinamos, e përfunduar në shifrat 1-0. Duket se Egbo do ta shoqërojë sërish fati që kishte më herët në Superiore teksa drejtonte Tiranën, të paktën në ndeshjen e sotme, mund të thuhet se është arritur një fitore hyjnore ku edhe fati kishte pjesën e tij, pa harruar edhe punën e madhe te vendasve.
Në minutën e 37 Dinamo do të shënonte me anë të Goudiaby, por mesfushori rezultoi në pozicion jashtë loje. Një tjetër gol iu anulua Dinamos në minutën e 81 teksa Qardaku shtyu topin në rrjetë, por me dorë. Maradona nuk funksionon me VAR.
E teksa mbërriti minuta e 90, Dinamo mori një penallti me shumë polemika. Një prekje e topit me dorë në zonën e ballshiotëve dhe pas shumë minutash rishikimi në VAR, u akordua penallti. Dejvi Bregu u nis për t’i dhënë fitoren Dinamos, por goditja ishte për t’u harruar dhe topi doli nga stadiumi. Në atë moment Bylis mori më shumë zemër dhe vetëm pak më vonë, arriti që të gjente golin në fund me Nascimento. Në fillim goli u akordua pozicion jashtë loje, por më pas ishte VAR që ndërhyri duke i dhënë fitoren Bylisit. /Sport Ekspres/