Everton i befasoi të gjithë sonte duke fituar një pikë jashtë shtëpisë ndaj Manchester Cityt në atë barazim 1-1, por ndeshja u shënua nga një përplasje mes Erling Haaland dhe Ben Godfrey që zgjati pothuajse të gjithë ndeshjen.
Gjithçka nisi që në aksionin e parë të qytetarëve, në sekondën e 20-të kur Godfrey “preu” Haaland, e cila shkaktoi heshtje në Etihad pasi dukej se dëmtimi ishte i një natyre më të rëndë. Edhe Pep Guardiola dërgoi Julian Alvarez për t’u ngrohur pasi dukej se Haaland nuk mund të vazhdonte ndeshjen, por fatmirësisht dëmtimi nuk ishte aq i rëndë.
Mirëpo, përplasja mes Haaland dhe Godfrey ka vazhduar pasi lojtari i Everton vazhdimisht provokonte sulmuesin norvegjez, ndërsa edhe nga ana tjetër kishte kundëpërgjigje. Godfrey padyshim kishte një taktikë për të provuar të largonte norvegjezin nga ritmi i tij, por ai nuk e bëri atë siç e priste.
Pas disa gjuajtjeve dhe provokimeve të tjera, Godfrey vetëm e inatosi edhe më shumë Haalandin që u përgjigj në mënyrën e tij. Në minutën e 24-të, Haaland shënoi gol për 1-0 me asistimin e Mahrezit dhe më pas festoi golin pikërisht përballë Godfrey, i cili nuk u emocionua aspak për këtë. /Sport Ekspres/