Tirana ka marrë fitoren e dytë radhazi me Nevil Deden në krye, pas triumfit së arritur në Laç. Këtë herë bardheblutë fituan në shifrat 3-0 kundër Apolonisë, në një ndeshje e cila ka kërkuar që kryeqytetasit të djersiten, veçanërisht në pjesën e parë. Të tre golat janë krijuar nga këmba e Muçit që është padyshim karta fituese e Dedes. Në golin e parë që erdhi në minutën e 49 talenti i bardhebluve do të futej bukur në zonë mes driblimeve, e teksa topi mbeti aksidentalisht në zonë, Ismajlgeci e ka dërguar në rrjetë.
E për të sjellë qetësinë te Tirana mendon sërish Muçi në minutën e 79 atje ku ka nxjerrë huq 4 lojtarët e Apolonisë, për të shërbyer Bathën. Ky i fundit nuk mund të gabonte përpara portierit për të dërguar shifrat në 2-0. Ndërkohë që pas gjithë performancës fantastike, ishte Batha që i ktheu “borxhin” Muçit pas një pasimi të bukur në qendër, e shoqëruar kjo edhe me daljen e portierit kundërshtar, atje ku talenti i bardhebluve e ka dërguar topin në rrjetë. Kështu bardheblutë kanë barazuar me pikë Partizanin për t’u ngjitur në vendin e katërt, por kanë zhvilluar një ndeshje më tepër se të kuqtë. /Sport Ekspres/