VIDEO/ Devijimi i Ernest Muçit rezulton vendimtar, sulmuesi shqiptar ndihmon Legian për të marrë tre pikët

Ernest Muçi po kalon momente të mira me Legian e Varshavës. Përveç minutave që këtë sezon kanë qenë më të shumta për të, sulmuesi shqiptar ka arritur të gjejë edhe rrugën e rrjetës në kampionat. Sot, 21-vjeçari nga Tirana ka shënuar një tjetër gol me fanellën e Legias, duke ndihmuar ekipin të fitojë kundër Zaglebies së Lubinit.

Ndeshja ka përfunduar 1-2 në favor të Legias, goli i dytë i së cilës mban autorësinë e Muçit. Në minutën e 59 të takimit Josue harkon një top në zonë nga goditja e dënimit, të cilin Muçi e shfrytëzon për të gjetur rrugën e rrjetës. Mjafton një devijim i tij për të ndalur topin në skajin e majtë të portierit kundërshtar. Zaglebie Lubini kundërpërgjigjet pak minuta më vonë, por goli i tyre thjesht sa ngushton shifrat, pa e ndryshuar dot fatin e kësaj ndeshjeje. Legia tashmë renditet në vendin e dytë në kampionat, vetëm 7 pikë larg kreut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *