VIDEO | Derbi i çmendur në Stamboll, Fenerbaçe si Feniksi!

Është mbyllur një ndër derbit më të luftuar në Europë, ku përballë ishin Beshiktashi dhe Fenerbaçe. Plot gjashtë gola të shënuar, shqelma, kartona, ankth për sistemin VAR dhe përmbysje. Derbi më të çmendur, zor se mund të kenë shijuar ndonjëherë në Turqi.

Një sfidë që në fund nuk nxorri fitues, pasi u mbyll në barazim 3-3. Gjithçka nisi në mënyrë perfekte për vendasit e Beshiktashit, ku protagonist ishte dy herë mbrojtësi Gokan Gonyl. Fillimisht, në minutën e 10-të shënoi golin e avantazhit dhe tetë minuta më vonë fitoi një 11-metërsh, i cili u akordua pas konsultimit me sistemin VAR.

Te pika e bardhë u pozicionua Burak Jilmaz, i cili u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat. Për të errësuar më shumë mbrëmjen e Fenerbaçes, mendoi përsëri Jilmaz, i cili në fundin e pjesës së parë shënoi golin e tretë, duke mbyllur 45 minutat e para me shifrat 3-0.

Të gjithë menduan se çdo gjë ishte mbyllur, madje edhe tifozi më i çmendur i Fenerbaçes, zor se ka besuar se ekipi i tij mund të merrte diçka nga ky derbi. Gjithsesi, duket se lojtarët nuk ishin dorëzuar dhe në minutën e 55-të, shkurtuan diferencën me anë të Zajc.

Gjashtë minuta më vonë, ishte mbrojtësi Çiftpinar, i cili hapi tërësisht takimin, duke çuar shifrat në 3-2. Në minutën e 67-të ishte momenti i Hasan Ali Kaldirim, i cili realizoi një perlë të vërtetë, duke çmendur në festë të tijtë. Më pas, në minutat në vijim triumfuan “shqelmat” dhe çdo gjë u mbyll në barazim 3-3.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *