Elis Bakaj do të largohej nga Shakhtar Soligorsk për t’u prezantuar me ekipin kampion të Bjellorusisë, Dinamo Brest. Pasi një sezoni fantastik që zhvilloi në kampionat, futbollisti shqiptar kishte marrë vëmendjen e kampionëve. Megjithatë kjo aventurë nuk nisi aspak sipas pritshmërive e dëshirave të lojtarit dhe klubit, teksa dëmtimet e penalizuan duke mos pasur mundësinë që të tregojë aftësitë e tij. Ndeshjet e fundit të kampionatit janë zhvilluar dje në Bjellorusi atje ku titulli është vendosur në minutat e fundit.
Teksa ishte minuta e 90, Shakhtar Soligorsk ndodhej në barazimin 2-2 kundër Minsk, ndërsa Bate Borisov po barazonte pa gola ndaj Dinamo Minsk. Mënyra e vetme sesi ish-ekipi i Elis Bakajt mund të shpallej kampion ishte marrja e tre pikëve dhe nga ana tjetër Bate Borisov duhej të gabonte, për të mos fituar. Kjo ndodhi në sekondat e fundit atje ku Soligorsk gjeti dy gola dhe nisi festën për t’u shpallur kampion, pasi Bate Borisov u ndal në shifrat 0-0. /Sport Ekspres/