E shkuara e mund të tashmen! Kështu mund të përshkruhet përballja mes Bylisit dhe Kastriotit. Përpara kësaj ndeshje ishte Kastrioti që po cilësohej si një “Bylis i dytë”, atje ku humbja në përballjen e fundit ndaj Vllaznisë ishte njëkohësisht e vetmja për krutanët.
Si një surprizë cilësohej Kastrioti në këtë sezon të ri, ndërsa rezultatet po i jepnin të drejtë opinionit, për të sjellë në kujtesë performancën fantastike të Bylisit në kampionatin që kemi lënë pas. Shumë më ndryshe paraqitej situata te Bylisi i këtij sezoni që kishte harruar fitoren pasi nuk e merrte që prej 8 ndeshjesh, për më tepër pa arritur që të shënonte edhe një gol të vetëm në portën kundërshtare prej 5 ndeshjesh.
Verdikti në takimin e sotëm që përfundoi në shifrat 2-1 është dhënë brenda 45 minutave të para. Fillimisht ishte Ndreca që realizoi në minutën e 7 të takimit, ndërsa Mehmetllari përfitoi pak minuta më vonë, pas një dhurate dhe një përgjumje te Kastrioti. Në minutat e fundit të pjesës së parë ishte Devid që rihapi gjithçka duke shkurtuar diferencën, por rezultati do të mbetej i paprekur deri në fundin e 90 minutave. /Sport Ekspres/