(VIDEO) Baloteli “rifiton” Italinë, Mançio debuton me fitore

 

Fillimi i mbarë, gjysma e punës… Italia e Mançinit “debuton” me fitore, edhe pse modeste, ndaj Arabisë Saudite, larg tifozëve të kaltër, që më shumë e kanë ndjekur nga tv se në Sen Galen të Zvicrës, aty ku personazhi në kopertinë është ai: Mario Baloteli. Rikthehet te buzëqeshja axurre, e cila mungonte prej 4 vjetësh, që kur kishte shënuar golin e fundit me Italinë ndaj Anglisë, në Botërorin Brazil 2014. Këtë edicion, Italia nuk do të marrë pjesë, por Baloteli është një notë pozitive. i janë dashur 21 minuta për të gjetur goditjen e duhur, jashtë zone, dhe festuar. Në pjesën e dytë, Beloti ishte ai që gjeti rrjetën e sigurisë, edhe pse mbrojtja e katër herë kampionëve të botës luhati jo pak, duke i dhuruar golin Arabisë Saudite, që ndryshe nga Italia në Rusi do të shkojë.

https://www.youtube.com/watch?v=SBqsBGvS0uc

Një tjetër futbollist që është dalluar ka qenë Krishito, padron në të majtë të mbrojtjes dhe i pafat në rastin e shtyllës së goditur. Të kaltrit i janë afruar golit në disa raste të tjera, madje pas golit të Belotit, që pikërisht mori vendin e Balos, Insinje për pak sa nuk shënoi, por Zapakosta humbi topin në mesfushë, duke i dhënë kundërshtarit shansin e kundërsulmit. U desh edhe një dalje pak aventureske e Donarumës për ta kompletuar gafën. Portieri i Milanit më pas mbron portën nga 2-2, teksa sauditët vraponin dyfish, ndoshta të freskët edhe përpara Botërorit. Pas një jave, testi ndaj Francës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *