VIDEO/ Bajerni bën Mbapenë dhe Mesin të jenë të padukshëm në fushë, PSG-ja i thotë lamtumirë Champions-it

Bajerni i Mynihut ka siguruar mbrëmjen e sotme kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra gjermane ka mposhtur PSG-në në “Allianz Arena” me rezultatin 2-0. Parisienët iu afruan golit në pjesën e parë pas një gabimi të portierit Zomer, por De Ligti tregohet i jashtëzakonshëm dhe largon topin në vijën fatale. Ndërkohë pjesa e dytë e lojës flet e gjitha për bavarezët.

Çupo-Moting dërgon topin në rrjetë, por gjyqtari ngre lart flamurin për pozicion jashtë loje. Nuk kalojnë shumë minuta dhe është sërish sulmuesi kamerunas ai që e dërgon topin pas shpinës së Donarumës. Këtë herë festa është e gjitha legjitime dhe Bajerni kalon në epërsi. PSG-ja përpiqet të reagojë, por lojtarët duken të plogësht në fushën e lojës dhe aspak të rrezikshëm në 16 metrat e fundit.

Mbape dhe Mesi ishin të padukshëm përgjatë gjithë ndeshjes, duke mos përbërë kërcënim për prapavijën bavareze. Kur të  gjithë prisnin shkëndija nga skuadra franceze, Gnabri e ndal përsëri topin në rrjetë në minutën e 89 dhe vulos përfundimisht kualifikimin. Rrugën e rrjetës e gjen edhe Mane në minutat shtesë, por gjyqtari sinjalizon pozicion jashtë loje. Në fund, Bajerni i Mynihut triumfon me shifrat 2-0 dhe PSG-ja detyrohet t’i thotë lamtumirë Ligës së Kampionëve. Ndonjëherë miliardat nuk mjaftojnë për të mbërritur te suksesi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *