Një ngjarje e papritur i ka ndodhur ish-lojtarit të Kombëtares, Andi Lila. Ky i fundit ishte duke xhiruar me kamerat e “News 24 ” një intervistë të tijën me gazetaren Cenkuela Haka për emisionin “Fit Station” në momentin kur një incidenti i pakënshëm i ka ndërprerë gjithçka. Një person i quajtur Aldo, i shoqëruar nga policia bashkiake, i ka kërkuar Lilës që të largohet nga fusha sportive e njohur si “Fusha e Vjetër”.
Arsyeja për këtë është politike dhe këtë e nënkupton qartë edhe personi që kërkon të përzërë ish-lojtarin nga fusha, megjithëse gjatë komunikimit i bën me dije se është urdhëruar për një të bërë diçka të tillë dhe se kërkonte mirëkuptimin e Lilës për pozicionin e vështirë në të cilin gjendej. Kujtojmë se Andi Lila ka përfshirë emrin e tij në listën për deputet të PD-së për Kavajën dhe ky ka qenë shkaku që ka sjellë një precedent të tillë. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Debati i plotë:
Punonjësi: Ke punë shumë?
Lila: Ja mbaruam.
Punonjësi: Se na bënë me llafe.
Lila: Kush bëri llafe?
Punonësi: Na bënë me llafe. Sikur se di si funksionon, hë pra mo.
Lila: Nuk e di, kush bëri llafe.
Punonjësi: Për Zotin na bën me llafe. Unë kastile kam ardhur, s’kam çfarë të bëj ty por na bën me llafe. Kështu që po pate për të mbaruar…
Lila: O Aldo unë këtu e kam bërë me djersë e gjak, kështu që ata të kanë thënë ty…Është fusha ime.
Lila: Kush të ka thënë? Të ka thënë kryetari i bashkisë?
Punonjësi: Po më vë në siklet. Të kam lajmëru unë o vlla.
Lila: Ti çfarë je?
Punonjësi: Drejtori i sporteve. Policinë bashkiake unë e kam lajmëruar vëlla?
Polici bashkiak: Jo, jo.
Lila: Kush e ka lajmëruar.
Polici bashkiak: Komandanti.
Punonjësi: Për Zotin nuk e kam lajmëruar unë, për kokë të familjes.
Lila: Komandanti? Që të nxirrni Andi Lilën përjashtë.
Punonjësi: Për Zotin na vë në siklet, na vë në siklet, për kokë të familjes se mu s’po më bi mendja. S’po kandidoj unë për kryetar bashkie, as për deputet. Për Zotin 10 vetë më kanë marrë në telefon.
Lila: Mbaruam!
Punonjësi: Me siklet të madh vallahi, po më dridhet zëri.
Një tjetër: Siklet se ikim prej pune…
Lila: Të kuptoj shumë mirë.
Punonjësi: O vlla janë ca gjëra, është politike, nuk është problemi që është sport. Po të jetë sport, është sport. Andi nuk ka punë sepse është politikë, në krah të kundërt me ne. Ky është gjithë muhabeti që është folur, çfarë të them unë?! Ka më shqip?! Për Zotin kjo është.
Lila: Pyeti njëherë vlla në Kavajë të vijë më Andi Lila apo jo? Po ça janë këto injoranca.
Punonjësi: Çfarë të them unë. Mua kështu më thanë.