“Veprimi i Nuabuezes nuk pranohet”, Duro komenton kampionatin: Bukurinë po ia japim ne, tani është luftë e hapur

Fusha e Bylisit u kthye në një arenë boksi gjatë fundjavës, ku një përplasje masive u regjistrua gjatë takimit mes skuadrës mallakastriote dhe Laçit. Për shkak të kësaj ngjarjeje, klubi kurbinas vendosi të pezullonte me një afat të pacaktuar sulmusin e tij, Kirian Nuabueze, prej të cilit nisi edhe konflikti në fushë.

Shpëtim Duro e shikon të papranueshëm veprimin e bërë nga 28-vjeçari, teksa në një prononcim për “Top Channel” flet më tepër rreth ndeshjes së të shtunës. Më tej trajneri i Laçit komenton edhe luftën për titull në Kategorinë Superiore, ku i jep merita skuadrës së tij për rihapjen e kampionatit.

“Ne shikojmë çdo javë goditje me bërryl, që sigurisht dëmtohemi ne. Janë gjëra që ndodhin, por veprim i dytë i Nuabuezes nuk pranohet. Ne menduam që do shkojë ti kërkojë ndjesë pas kësaj situate. Një histeri kolektive e skuadrës, pjesëtarëve, trajnerëve, lojtarëve të Bylisit. Nuk kam gjë me arbitrin, se është i ri. Mund të jetë me perspektivë, por e djeg edhe atë si arbitër në ndeshje të tilla. Ne madje para një jave kërkonim që të ishte një arbitëri i huaj në këtë ndeshje.

Bukurinë kampionatit normalisht po ia japim ne. Pas fitores me Vllaznisë, sigurisht që kemi rihapur kampionatin. Fitorja me Bylisin, ndoshta asnjë nuk e mendonte për situatën që ne mund të fitonim. Tani është çdo gjë luftë e hapur, por patjetër që Vllaznia është një hap para”, ka thënë Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *