“Më vjen keq vetëm për faktin që më veshën mua të gjitha fajet për të këqijat e futbollit italian”. Kështu shprehet ish-trajneri i Italisë, Xhampiero Ventura, i cili ka folur për herë të parë që pas largimit me turp nga stoli ‘axurr’.
I ftuar në emisionin “Che tempo che fa” të Fabio Facios, Ventura ka folur për zhgënjimin më të madh të karrierës së tij si trajner: “Pas Spanjës më delegjitimuan në Federatë dhe më sulmuan me një dhunë të jashtëzakonshme, të gjithë. Gabova që nuk u largova pas humbjes në Madrid. Dhashë dorëheqjen pas ndeshjes me Maqedoninë, por ma refuzuan”.
Ventura shpjegon çfarë ndodhi në Madrid: “Gjithçka u shkatërrua atje: humbëm ndaj Spanjës, që ishte më e fortë se ne, ndërsa tentuam fitoren për të marrë kreun e grupit. Ajo humbje u trajtua si katastrofë totale, më pas presioni ishte i tmerrshëm për ndeshjet kundër Suedisë. Pas eliminimit nuk e dhashë menjëherë dorëheqjen sepse nuk doja të pranoja që isha fajtori i vetëm. Ishte një sistem i tërë që nuk funksiononte, që para ndeshjeve kundër Suedisë kisha planifikuar të mbaja një konferencë për shtyp ku do të lajmëroja se në Botëror nuk do të shkoja në rast kualifikimi. Nuk mund të punoja në ato kushte. I uroj fat Roberto Mançinit, shpresoj që të gjejë kushtet e duhura për të punuar”.