Nga Klaudio Ndreca
Në këtë periudhë të Koronavirusit ka pasur edhe shumë konspiracione për momentin anormal që po kalojmë. Gjithçka duket të jetë si një film “horror”, ku edhe regjizorit më të mirë, nuk do i kishte shkuar ndërmend për të fantazuar një realitet si ky.
Teoritë konspirative kanë qenë gjithmonë prezente dhe në disa raste kanë të vërteta të fshehura. Ndërsa sa i përket COVID-19 janë ngritur edhe shqetësime botërore, por edhe në Shqipëri, se vaksina mund të jetë një mënyrë kontrolli i njerëzimit përmes tyre.
Për momentin është vetëm një hipotezë që e mbështesin pak veta, por një ushqim të mirë për të e jep edhe tenisti më i njohur, Novak Djokoviç. Ky i fundit ka çuditur me vendimin e tij, megjithëse pa e treguar arsyen e saktë, duke thënë se nuk do e pranojë që të bëjë vaksinën. Madje duke shkuar më tej që nëse e detyrojnë, atëherë do të marrë një vendim, duke lënë të nënkuptohet edhe për mendimin e mbylljes së karrierës.
“Personalisht jam kundër vaksinimit. Nuk do të doja që dikush të më detyrojë të vaksionohem që në këtë mënyrë të kem mundësinë për të udhëtuar. Por nëse kjo është detyrim, çfarë do të ndodhë? Atëherë do të marrë një vendim”, ka thënë Djokoviç. /Sport Ekspres/