Vëllazërorja e moshave U-17 / Shqipëria fiton testin e parë me Kosovën në “Kukës Arena”

Shqipëria U-17 ka fituar me rezultatin 1-0 miqësoren e parë ndaj Kosovës U-17, të luajtur sot në stadiumin “Kukës Arena” të Kukësit. Një test mjaft i mirë për skuadrën kuqezi, që përtej fitores, bëri një paraqitje të mirë në fushën e lojës ndaj bashkëmoshatarëve kosovarë.

Përfaqësuesja shqiptare U-17 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Dervishi, Koleci, A. Kurti, Damini, Selmani, Kashari, Belloj, Jaku, Metaj, Bode, Tosku.

Ndeshja nis e balancuar me të dyja ekipet që përpiqen të marrin në dorë frenat e lojës. Gjithsesi, në minutën e 24-të kuqezinjtë fitojnë një 11-metërsh kur Dejvi Metaj depërton në zonë dhe pengohet nga një mbrojtës kosovar. Nga pika e bardhë godet me saktësi kapiteni Adi Kurti, duke kaluar në avantazh Shqipërinë U-17 e duke fiksuar shifrat në 1-0. Në vijim përfaqësuesja kuqezi administron mirë rezultatin duke mos rrezikuar dhe duke u hedhur në sulm herë pas here në kërkim të golit të dytë.

Me nisjen e pjesës së dytë trajneri Bulku bën pesë zëvendësime duke nxjerrë ngë fusha e lojës Jakun, Toskun, Boden, Metajn e Selmanin dhe duke futur Ramën, Sufkën, Balan, Malajn dhe Vranicin, ndërsa gjatë pjesës së dytë ka minuta edhe për Hajdarin, Duro e Bahajn, të cilët zëvendësojnë Kasharin, Bellojn e Kolecin. Pavarësisht ndryshimeve skuadra nuk zhbalancohet dhe ndeshja është e luftuar deri në fund.  Rezultati deri në fund nuk ndryshon dhe Shqipëria U-17 e fiton miqësoren e parë 1-0, ndërsa pas dy ditësh do të luhet edhe miqësorja e dytë mes dy skuadrave po në stadiumin “Kukës Arena”.

Dy teste mjaft të vlefshme për kuqezinjtë e ekipit Kombëtar U-17 si dhe për stafin kuqezi për të monitoruar nga afër dhe për të parë në aksion elementët më të mirë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 për këtë grup-moshë, ku shorti e ka vendosur ekipin e Bulkut në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *