Vangjeli: Pak shanse në Europë, të mendojmë edhe për kampionatin

Në krah të trajnerit Ilir Daja sot në Elbasan, në konferencën e zakonshme për shtyp, ka dalë Kristi Vangjeli. Mbrojtësi korçar ka folur për sfidën kundër Dinamos, duke e pranuar se tashmë shanset për kualifikim janë minimale, ndaj sheh më shumë nga kampionati. “E mendoj si trajneri, preferoj më shumë të marr 6 pikë kundër Partizanit dhe Kukësit në dy ndeshjet e radhës se sa të kualifikohemi këtu. Është edhe më logjike kështu, sepse objektiv primar dhe i panegociueshëm është titulli kampion. Dinamo e Kievit ka emër shumë të madh në Europë, ka luajtur gjithmonë në grupet e Champions League, edhe pse këtë vit jo. Ka shumë lojtarë të mirë, me vlera në kombëtare të mëdha. Besoj se ka një grup shumë të fortë dhe kjo të bën më të fortë, arrin kaq larg dhe mund të marrësh pikë të plota kudo, ka grup të madh dhe lojtarë me shumë cilësi”.

Vangjeli sheh Superioren: “Fokusi më i madh do jetë kampionati, kemi bërë një fazë e gjysmë shumë të mirë, duhet të mbajmë këtë ritëm dhe të mos nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, brenda apo jashtë. Duhet t’i marrim me radhë dhe kampionati merret në fund, duke parë që kemi distancë të vogël. Besoj se me kualitetin që kemi, në ndeshjet e ardhshme duhet të mos shfaqim problemet e viteve të kaluara”.

Kualifikimi në Europa League mbetet ëndërr: “Ne kemi ëndërruar gjithnjë që ta kalojmë grupin. Nëse ia dalim mbanë nesër, atëherë mund të bëjmë një surprizë kundër Jang Bojsit, edhe pse ajo skuadër është më e vështirë se sa Partizani i Beogradit. Por gjithsesi ata kanë shanse të mundin nesër Partizanin e Beogradit dhe të na japin ne një shans nëse ia dalim kundër Dinamo Kievit. Sa shanse kemi? Nuk është plotësisht në dorën tonë dhe nuk jemi favoritë, sepse nuk kemi tifozët. Fakti që ata do të luajnë me disa ndryshime mund të na dëmtojë, sepse disa lojtarë të tyre nuk i njohim fare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *