Ajaksi ka marrë përgjegjësinë për gjithçka ndodhi në korrik të vitit të shkuar me Abdelhak Nuri, i cili u godit nga një atak kardiak në Insbruk të Austrisë, gjatë një takimi miqësor mes Ajaksit dhe Verder Bremenit.
Thuajse një vit pas asaj ngjarjeje të rëndë, që ka lënë të paralizuar dhe me dëmtim të rëndë në tru mesfushorin e ri me origjinë marokene, Ajaksi ka pranuar se trajtimi mjekësor për Nuri nuk ishte “i përshtatshëm”.
“Marrim përgjegjësinë që na takon për pasojat e asaj ngjarjeje – pohon menaxheri i përgjithshëm i klubit, Edvin van der Sar. – Ishim të bindur se Nuri mori ndihmën e duhur mjekësore në fushë, por nuk ishte kështu. Duhej përdorur më herët defibrilatori. Nuk është e sigurt, por ndoshta nuk do kishte shkuar ashtu si shkoi. Klubi është i tronditur dhe i kërkon falje familjes për kohën e nevojshme për të arritur në këtë përfundim. Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të përmbushur detyrimin tonë si klub, por edhe si qenie njerëzore”.
Kohët e fundit familja e djaloshit të pafat kishte kërkuar dëmshpërblim nga klubi dhe çështja do të shkonte në gjyq, por duket se tashmë Ajaksi do të paguajë disa milionë euro.