“Uzuni e ndjekin shumë klube në Europë”, trajneri i thur elozhe: Myrtoja është sulmues i nivelit të lartë

Myrto Uzuni e nisi me gol sezonin e ri në MLS. Trajneri i Ostinit ka thënë pas ndeshjes se nuk ka aspak dyshime për aftësinë e sulmuesit shqiptar për të shënuar gola. Ai i ka dalë në mbrojtje lojtarit beratas për numrin jo të lartë të golave të shënuar në vitin e shkuar, duke theksuar se ekipi nuk ka prodhuar mjaftueshëm raste në mënyrë që Uzuni të tundte më shpesh rrjetën. Niko Estevezi ka shtuar në fund se lojtari i Kombëtares shqiptare është mjaft i kërkuar në tregun e transferimeve, teksa shumë klube në Europë janë duke e mbajtur në vëzhgim.

“Për Myrton nuk kam dyshime kur vjen puna te të shënuarit gola. Ai është një sulmues i nivelit të lartë dhe e ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij. Është e vërtetë që tani ai ka ardhur në një ligë ndryshe me një kontekst ndryshe. Vitin e shkuar ne nuk ishim një skuadër që gjeneruam shumë (raste) në mënyrë që ai të shënonte gola. Më pas, duke vazhduar sezoni, vërtetoi se mund të shënonte gola.

Fola me të dhe e pashë në formë të mirë. Ishte shumë i emocionuar që do të luante ndeshjen e parë të sezonit. Donte të kënaqte tifozët. Donte të hiqte peshën e mosshënimit mjaftueshëm në sezonin e shkuar. Besoj që me golin e shënuar demonstron se çfarë sulmuesi është. Myrto Uzuni është një lojtar shumë energjik. Ka një energji brutale. Myrto Uzuni është një lojtar shumë i dëshiruar. Shumë klube në Europë e ndjekin dhe ne jemi shumë të lumtur që e kemi këtu”, ka thënë Niko Estevezi./Sport Ekspres/