Mesfushori i Flamurtarit, Meti Useini, u fut në pjesën e dytë në Lushnje dhe shënoi golin e sigurisë në fundin e ndeshjes. Një pikë kyçe në mesfushën kuqezi, Useini nuk shqetësohet për uljen në stol dhe e ka që tani mendjen te sfida ndaj Skënderbeut.
“E vështirë të shihja nga stoli skuadrën që nuk e pati të lehtë, humbëm shumë raste, por trajneri mendoi të bënte ndryshime dhe kur më kërkoi të futesha, dhashë kontributin tim, duke marrë tre pikë të çmuara. Ishte një fitore që na vlen shumë ne, ndryshe nga Lushnja, që tashmë nuk ka më nevojë për pikë. Impenjimi ynë ishte maksimal dhe fitorja ishte e merituar.
“Objektivi? Personalisht mendoj se Europa ka qenë dhe mbetet objektiv, jo mbijetesa. Tani mendojmë për sfidën kundër Skënderbeut në kupë dhe pastaj ndeshjet me radhë deri në fund.
“Kriza? I ndodh çdo skuadre, u bënë bashkë të gjitha, dëmtimet, pezullimet, fati i keq dhe patëm një periudhë aspak të mirë, por jemi të bindur se po e kalojmë”.