Federata Shqiptare e Futbollit ka vijuar me prezantimin e projektit “Uniforma Ime” në qytetin e Korçës. Ashtu sikurse në çdo qytet tjetër ku është lançuar tashmë ky projekt, prezentë kanë qenë shumë prindër e fëmijë, të cilët janë përfituesit direktë të këtij projekti, që do të marrin falas nga muaji shtator bazën materiale falas. Të gjithë fëmijët që luajnë futboll, nga mosha U-7 në moshën U-19 do të përfitojnë një set veshjesh që në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes. I gjithë ky projekt kaq i madh, që ka si qëllim zhvillimin e futbollit të fëmijëve do të kushtojë 1 milionë euro dhe do të mbulohet totalisht nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për të prezantuar projektin “Uniforma Ime” në Korçë ishte i pranishëm vetë Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ky projekt ka si qëllim të ndihmojë të gjithë fëmijët dhe i uroi të jenë sa më pranë fushave të futbollit.
“Projekti “Uniforma Ime’’ i ka kushtuar Federatës Shqiptare të Futbollit 1 milionë euro. Ky projekt është për të gjithë fëmijët nga mosha U-7 në moshën U-19 dhe krah projektit “100 Fusha“, ky projekt ndihmon të gjithë fëmijët që të luajnë futboll dhe ata që kanë mundësi, por edhe ata që nuk kanë mundësi. I uroj të gjithë fëmijët të rriten të shëndetshëm, të mësojnë futboll dhe nesër t’i shikojmë sa pranë futbollit”– tha në fjalën e tij Zv.Presidenti Nuriu.
I pranishëm në Korçë ishte edhe Teodor Vaso, legjenda e futbollit korçar dhe ish-futbollist i Kombëtares shqiptare, i cili e konsideroi këtë moment si mjaft të rëndësishëm që ndihmon fëmijët që nuk kanë mundësi të pajisen me uniforma dhe falenderoi FSHF-në për këtë angazhim që rrit cilësinë e futbollit shqiptar. “Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm. Është mrekulli ky angazhim i Federatës Shqiptare të Futbollit për të dhënë një ndihmesë të veçantë zhvillimit të futbollit në Shqipëri. Pajisja me uniformë sportive nuk është vetëm një element figurativ, por në të njëjtën kohë është edhe një element që ndihmon kontigjentin e fëmijëve, të cilët në pamundësira materiale nuk blejnë dot uniformat përkatëse për t’iu përgjigjur sportive. Për këtë arsye, falënderojmë FSHF-në për këtë angazhim të veçantë në ndihmesë të cilësisë sportive të futbollit shqiptar”– u shpreh legjenda Vaso.
Përfitues direktë të këtij projekti janë fëmijët, por edhe prindërit, të cilët duke nisur nga muaji shtator nuk do të paguajnë më për të blerë sete uniformash për fëmijët. Fjoralba Ruço dhe Eglon Konduro, prindër të fëmijëve që luajnë me ekipe futbollin në qarku sportiv të Korçës falenderuan FSHF-në për projektin.
Ruço tha në fjalën e saj se investimi për fëmijët është sikurse të investohet për të gjithë botën.“ Është një projekt që dua t’ju përgëzoj dhe të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit, të gjithë prindërit dhe fëmijët , pasi çdo gjë bëhet për ta. Nëse flasim për fëmijët, kemi thënë gjithçka. Nëse investojmë për fëmijët, atëherë kemi investuar për të gjithë botën. Kështu që ju falënderoj. Ju uroj shumë suksese organizatorëve dhe fëmijëve në vazhdimësi“ – tha Ruço, ndërsa Konduro, si një ish-sportist dhe tashmë prind e konsideroi këtë ditë si të jashtëzakonshme për futbollin, jo vetëm në Korçë, por për të gjithë Shqipërinë. “Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu. Në këtë moment nuk na ngelet gjë tjetër veçse të jemi falënderues. Është një ditë e jashtëzakonshme për futbollin, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë. Uniforma është një nga elementet bazë të futbollit. Unë jam pjesë e kësaj fushe dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të kesh një uniformë të përshtatshme. Kjo është ana morale. Ndërsa për ne si prindër shohim edhe nga ana financiare, pasi tashmë nuk do na duhet t’i blejmë më uniformat, por do të jenë falas nga FSHF. Besoj se kjo do të ketë ndikim edhe në rritjen e cilësisë sportive dhe në masivizimin e futbollit. Faleminderit FSHF dhe suksese të gjithëve!” – tha Konduro.