Dinamo është kthyer te fitorja me Mehmetin. Ashtu siç e deklaroi edhe Fakiç, pritet që kjo të jetë pika e kthesës për kryeqytetasit. Dinamo arriti që të fitojë kundër Skënderbeut me shifrat 2-1 falë golave të Kaçorrit dhe Lorenzo Vilës.
Qendër sulmuesi realizoi i pari në minutën e 8, ndërsa Nikaj barazoi në të 18. Më pas, vetëm 10 minuta më vonë, ishte Lorenzo Vila që mbylli gjithë historinë e takimit. Pjesa tjetër e lojës i shërbeu statistikave pasi Dinamo mbajti avantazhin, 2-1. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”
Mehmeti (Dinamo): “Jam shumë i kënaqur për pikët. Por duhet të theksoj dhe të jem realist, skuadra ka shumë probleme në aspektin fizik. Jo vetëm që kemi luajtur në tre ditë dy ndeshje të rëndësishme, por kemi dhe statastikat që skuadra në tre ndeshje ka qenë në avantazh dhe ka kaluar në disavantazh. Kjo u vu re edhe ditën e sotme. Shumë të rëndësishme në këtë situatë janë edhe pikët. Do të jemi cinikë në fazën defensive. Do të mundohemi të marrim pikët.
Më ka ardhur keq në dy-tre momente me mënyrën se si ne mbrojmë. Që të kesh një ekuilibër të mirë në të dyja fazat e lojës, duhet të kesh një mesfushë goxha të fortë. Kemi edhe dëmtime, por këto nuk janë justifikime. Në pushim të ndeshjes u mundova që të jem me bllok të ulët, për vetë faktin që unë e kam lexuar skuadrën në aspektin fizik. Doja të dilja me tranzicion të shpejtë. Unë për një javë nuk mund të bëj mrekulli. Jam munduar të vë lojtarët në pozicionin e tyre për të marrë maksimumin. Duket me sy të lirë nuk janë mirë fizikisht.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/