Paulo Dybala pësoi një dëmtim mbrëmë kur ekzekutoi penalltinë nga e cila shënoi golin për fitoren e Romës ndaj Leçes. Roma mbrëmë në Olimpico mundi me shumë vështirësi Lecce-n me rezultat 2-1, edhe pse miqtë në pjesën më të madhe të ndeshjes luajtën me lojtarë më pak.
Dybala u dëmtua gjatë ekzekutimit të penalltisë dhe ndjeu dhimbje në kofshën e këmbës së majtë. Argjentinasi nuk e festoi golin si duhet dhe pak sekonda më vonë kërkoi një zëvendësim dhe në vend të tij hyri Nemanja Mati?.
U kuptua menjëherë se lëndimi i Dybala ishte i një natyre më të rëndë dhe këtë e konfirmoi edhe Jose Mourinho pas ndeshjes. Ai pranoi se situata nuk po funksionon mirë dhe se Dybala mund të ketë një pushim më të gjatë. Kjo gjë ka shqetësuar veçanërisht publikun në Argjentinë pasi Dybala nuk do të mund të luajë në Botërorin e Katarit.
“Është keq, por në fakt mendoj se është shumë më keq se sa duket tani. Unë nuk jam mjek, por sipas përvojës sime dhe bisedës me Dybala, nuk ka gjasa ta shohim në fushë deri në fundin e vitit”, tha Mourinho. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/